Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë, pas inspektimeve ad-hoc të kryera mbrëmjen e kaluar në tre subjekte farmaceutike private ka sekuestruar qindra kilogramë barna ilegale.
Pas marrjes së informates nga Njësie Hetuese e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, se në një subjekt (garazh) privat dyshohet se ka barna ilegale, IF ka organizuar tre ekipe inspektorësh dhe me asistencë të Policisë së Kosovës ka kryer inspektimet në vendet e dyshuara për mbajtje të barnave ilegale. Gjatë inspektimit, inspektorët kanë gjetur qindra kilogramë barna ilegale të grupeve të ndryshme farmaceutike, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Po ashtu, janë gjetur barna pa banderola, por me hyrje të rregullta (leje për autorizim), si dhe barna me banderola të Serbisë, etj.
Të gjitha keto barna janë evidentuar dhe konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik dhe me to do të procedohet sipas legjslacionit në fuqi.
Inspektorati Farmaceutik mbetet i përkushtuar në përmbushjen e përgjegjësive të tij, me qëllim që në tregun farmaceutik të Kosovës të qarkullojnë produkte të sigurta për përdorim të tyre.