Të shoqëruara me kripë apo jo, kumbullat jeshile, për disa, janë fruti më i mirë i sezonit. Ato nisin që në muajin prill për të vijuar deri në korrik. Ndonëse një frut i vogël, pa shumë tul dhe në shije të athta, kumbullat jeshile të quajtura ndryshe shahine, i gjejmë të përdorshme edhe në mjaft pjata e gatime mishi. Bashkë me qepën e perime të tjera, kumbulla jep athësinë e duhur për të plotësuar shijen. Mirëpo, përveçse e shijshme, edhe ajo ka vetitë e vlerat e saj ushqyese.
Së pari përmirëson sistemin tretës dhe forcon sistemin imunitar. I bëjnë mirë zemrës dhe parandalojnë ngritjen e nivelit të kolesterolit në gjak, ataket e çrregullimet e rrahjeve të zemrës. Kumbullat jeshile pastrojnë në mënyrë natyrale zorrët, prandaj shfrytëzoni sezonin për të pastruar trupin. Ndikojnë në përmirësimin e shikimit dhe aktivizojnë punën e veshkave. Një tjetër vlerë e tyre është aftësia për të ndikuar në formimin e qelizave të kuqe të gjakut e për rrjedhojë, për të parandaluar aneminë.
Edhe diabetikët duhet t’i kenë në listën e ushqimeve të përditshme sepse janë parandaluese të diabetit.