Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës ka marrë masat e para, në rast se edhe në Kosovë shfaqet virusi i përhapur në Kinë e gjetiu, i njohur si Konoravirus.
Ky institut ka siguruar materialin e nevojshëm laboratorik, me të cilin do të arrinte të diagnostikonte rastet e dyshimta me virusin vdekjeprurës, raporton KTV.
Ndonëse, sipas këtij instituti, Kosova nuk pritet të përballet me raste të shumta të të prekurve nga koronavirusi, blerja e materialit për detektim ose kitave, siç njihen në mjekësi, ishte i domosdoshëm.
Përveç kitave, ky institut ka blerë edhe materiale të tjera laboratorike, si dhe mjetet mbrojtëse për stafin, nëse virusi do të prekë ndonjë qytetar.
Materiali, të cilin e ka tani në dispozicion Instituti, mund të diagnostikojë deri në 1000 persona, ndërsa deri në përfundim të javës sasia e materialit diagnostikues do të shtohet.
Kjo do të bëhet e mundur përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Një lloj i ri i koronavirusit u përhap me shpejtësi në Kinë që nga fundi i vitit të kaluar.
Mbi 560 persona deri më tani kanë vdekur nga ky virus, të cilin autoritetet kineze kanë pranuar se nuk e kanë menaxhuar si duhet.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, Klinika Infektive në QKUK është e gatshme për të trajtuar të gjithë pacientët nëse është e nevojshme.