Shqipëria dyfishoi personelin e njësive shëndetësore në pikat kufitare në përpjekje për të forcuar kontrollet e udhëtarëve që vijnë nga vendet e prekura prej koronavirusit.
Masat shëndetësore u shtuan në portet detare, aeroportet dhe pikat tokësore të Shqipërisë pas lajmeve mbi praninë e koronavirusit në Italinë fqinje.
Qeveria ka ngritur një ekip të posaçëm për parandalimin, kontrollin dhe mbrojtjen e popullatës ndaj koronavirusit të ri.
Ekspertët dhe drejtuesit e institucioneve shëndetësore vendosën mbledhjen e sotme përforcimin e masave në pikat kufitare për të gjurmuar raste të mundshme të koronavirusit.
Ata kërkuan shtimin e mjeteve mbrojtëse personale, spitalore, laboratorike dhe shtimin e kontrolleve për të parandaluar depërtimin e koronavirusit në Shqipëri.
Udhëtarët, pohuan autoritetet, do të informohen më gjerësisht që të vetë deklarohen në strukturat shëndetësore mbi shenja të mundshme klinike apo kontaktet me raste të koronavirusit në vendet e prekura. Vijon po ashtu edhe masa e vetëkarantinimit të personave, që kanë ardhur nga vendet e prekura nga ky virus.
Shqipëria ka caktuar edhe një strukturë spitalore si vend karantine, që plotëson të gjitha standardet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.