Fjalë Kyçe

Dy vaksinat kundër koronavirusit aprovohen këtë muaj, por kur të jenë gati për qytetarët?

Dy vaksinat kundër koronavirusit aprovohen këtë muaj, por kur të jenë gati për qytetarët?

Derisa kanë mbetur më pak se 30 ditë nga përfundimi i këtij viti, duket se do të kemi dy vaksina të aprovuara për përdorim të gjerë kundër koronavirusit.

Vaksina e parë e gjigantit farmaceutik Pfizer dhe BionTek, tashmë është raportuar se ka arritur efektin mbi 95 për qind gjatë provave klinike. Prodhuesit kanë aplikuar në Agjencinë e Barnave dhe Ushqimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për përdorim emergjent të vaksinës.

Për aprovim nga kjo Agjenci, ka aplikuar edhe Moderna me vaksinën e cila është raportuar se është efektive mbi 94 për qind. Sipas raporteve të dy kompanive, vaksinat kanë vetëm disa efekte të lehta anësore dhe të njëjtat mund të marrin dritën e gjelbër për përdorim të gjerë brenda këtij viti.

Pfizer ka deklaruar se pritet të prodhojnë mbi 50 milion doza të vaksinës deri më 31 dhjetor, ndërsa vitin e ardhshëm mbi 1.3 miliard. Në anën tjetër Moderna planifikon të prodhojë rreth 20 milionë doza këtë vit dhe rreth 1 miliard vitin e ardhshëm.

Një vaksinë tjetër është ende duke u zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca. Por e njëjta ende nuk ka raportuar se rezultate efektive.

Ndërkaq vaksina e Novavax e cila është konsideruar si më shpresëdhënësja në luftën kundër koronavirusit, aktualisht është pezulluar, por zyrtarët kanë thënë se planifikojnë të fillojnë së shpejti me fazën e tretë të provave klinike.