Shumica e pacientëve me COVID-19, të cilët janë shtruar në spital, kanë vuajtur një mori simptomash – përfshirë plogështinë dhe vështirësitë për të fjetur – edhe gjashtë muaj pas infektimit, ka treguar një studim i kryer nga kinezët.
Studimi me më shumë se 1.700 pacientë të trajtuar në qytetin kinez Vuhan, epiqendra e shpërthimit të pandemisë, tregoi se së paku 76 për qind e tyre kanë pasur së paku një simptomë disa muaj pas daljes nga spitali.
Të dhënat lënë të kuptohet se edhe njerëzit të cilët marrin veten nga COVID-19 mund të kishin ndikime të gjata shëndetësore, për shkak të koronavirusit, që ka infektuar më shumë se 90 milionë persona në mbarë botën.
Studimi, më i madhi i kësaj natyre, është botuar në revistën shkencore Lancet.
Në kuadër të tij është mësuar se plogështi kanë përjetuar edhe pas gjashtë muajsh të infektimit, plot 63 për qind e të studiuarve, derisa 26 për qind kanë raportuar për probleme të lidhura me gjumin.