Zyrtarët shëndetësorë në botë janë në garë për të vaksinuar mjaftueshëm njerëz, në mënyrë që të ndalet përhapja e sëmundjes COVID-19, por çfarë nënkupton “mjaftueshëm” në këtë aspekt, është ende një gjë e debatueshme.
Qëllimi është që të arrihet ajo që njihet si “imuniteti i tufës”, që nënkupton se mjaftueshëm njerëz do të jenë imunë ndaj COVID-19 ose përmes vaksinimit ose nga infektimet paraprake, në mënyrë që të ndalohet përhapja e pakontrolluar e koronavirusit të ri, shkruan Associated Press.
Imuniteti i tufës nuk e bën asnjë person imun dhe shpërthimet e virusit ende mund të ndodhin. Por, imuniteti i tufës nënkupton se virusi nuk përhapet aq lehtësisht nga një person te një person tjetër, duke ndihmuar që të mbrohen nga infektimi eventual personat më të ndjeshëm.
Askush nuk e di me saktësi cili është pragu për imunitetin e tufës për koronavirusin e ri, edhe pse shumë ekspertë thonë se është 70 për qind e më shumë. Por, edhe shfaqja e varianteve të reja të virusit, e ka komplikuar arritjen e imunitetit të tufës.
Më poshtë mund të lexoni se çfarë dihet deri më tani për virusin dhe imunitetin e tufës:
Si llogaritet pragu për imunitetin e tufës?
Është një formulë që bazohet në atë se sa ngjitës është virusi – ose mesatarisht sa persona mund ta marrin virusin nga një person i infektuar.
Por, kjo llogaritje ofron vetëm një objektiv të gjerë prej kur mund të ketë një rënie të madhe të përhapjes së virusit. Po ashtu, shifrat mund të ndryshojnë varësisht nga rajonet.
“Nuk është se 64.9 për qind është e tmerrshme dhe 70.1 për qind është fantastike”, thotë doktor Walter Orenstein, ekspert i sëmundjeve ngjitëse në Universitetin Emory.
Orenstein thekson se nivelet e vaksinimit dhe faktorët e tjerë që ndikojnë në ndalimin e përhapjes së virusit, po ashtu mund të ndryshojnë nga vendi në vend, madje edhe brenda një qyteti.
Si do ta dimë se kemi arritur imunitetin e tufës?
Dëshmi se kemi arritur imunitetin e tufës do të ishte “ndërprerja e zinxhirit të transmetimit (të virusit)”, thotë Ashley St.Johny, që studion sistemet e imunitetit në Shkollën Mjekësore Duke-Nus në Singapor.
Por, mos prisni ndonjë deklaratë të madhe kur të jetë arritur kjo gjë.
Për të përcaktuar nëse mund të lehtësohen masat kufizuese, zyrtarët shëndetësorë duhet të vëzhgojnë trendet e infektimit dhe të hospitalizimit, teksa vaksinimi në shumë vende të botës po vazhdon. Dhe këto vendime ka të ngjarë të fillojnë të merren para se të arrihet pragu ideal i imunitetit të tufës, edhe pse lehtësimi i masave pritet të jetë gradual dhe mund të ndryshojë nga rajoni në rajon.
Në Indi, për shembull, shkencëtarët besojnë se më shumë njerëz duhet të jenë të mbrojtur nga virusi, e të cilët jetojnë në qytete me popullsi të dendur, ku virusi shpërndahet më shpejt sesa shtetasit që jetojnë në fshatra.
India planifikon që të testojë qytetarët për antitrupa, për të parë se sa për qind e popullatës prej 1.4 miliard banorësh tashmë është infektuar me koronavirus, tha doktor Jayaprakash Muliyil, i cili është këshilltar i Qeverisë indiane për mbikëqyrjen e virusit.
Efektiviteti i vaksinave po ashtu ka një rol të madh. Më pak njerëz do të duhej që të vaksinoheshin që të arrihej imuniteti i tufës, nëse dozat e vaksinës kanë efikasitet më të lartë.
Si ndikojnë variantet e reja të COVID-19 në imunitetin e tufës?
Lidhur me këtë pyetje, varet nëse nga infektimi paraprak ose nga vaksinimi krijohet mbrojtje edhe për variantet e reja.
Nëse vaksinat ekzistuese janë më pak efektive ndaj varianteve të reja të COVID-19, kjo nënkupton se do të duhet që fushata e vaksinimit të jetë më e gjerë dhe më shumë persona do të duhet të vaksinohen ose do të duhet që vaksinat ekzistuese të modifikohen në mënyrë që të jenë më efektive ndaj varianteve, thotë Orenstein.
Deri më tani, duket se vaksinat ekzistuese ofrojnë një lloj mbrojtjeje ndaj varianteve të reja. Por, shkencëtarët ende janë duke e studiuar situatën dhe shprehin frikën se mund të paraqiten edhe mutacione të reja të virusit.
Shfaqja e varianteve të reja po ashtu ka bërë që të rritet rëndësia e vaksinimit të njerëzve sa më shpejt që është e mundur. Ngadalësimi i transmetimit të virusit është qenësor, pasi viruset mund të pësojnë mutacion kur infektojnë njerëzit.
Variante të reja janë zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut dhe besohet se janë më ngjitës se varianti i parë i koronavirusit.
A duhet të jetë imuniteti i tufës në aspektin global?
Imuniteti global i tufës është ideal, por ka pak gjasa të ndodhë.
Shtetet më të pasura kanë siguruar më së shumti doza të vaksinës, që do të prodhohen gjatë këtij viti. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara zyrtarët thonë se një numër i mjaftueshëm i njerëzve do të mund të vaksinohen deri në vjeshtë, në mënyrë që shteti të mund t’i kthehet normalitetit.
Por, shumë shtete të varfra me gjasë do të duhet të presin më gjatë. Prandaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se imuniteti global i tufës ka pak gjasa që të arrihet gjatë këtij viti.
Dallimet në nivelet e vaksinimit në mes shteteve janë gjithashtu arsyeja, sipas shumë ekspertëve, të cilët besojnë se COVID-19 nuk do të zhduket kurrë plotësisht.
A mund të zhduket imuniteti i tufës?
Ende nuk duhet se sa zgjat imuniteti, edhe pas vaksinimit apo pas infektimit, edhe pse ekspertët besojnë se mund të zgjasë të paktën disa muaj.
Megjithatë, dozat shtesë të vaksinës kundër COVID-19 me gjasë do të jenë të nevojshme në të ardhmen. Edhe pse, vaksinat ekzistuese kundër COVID-19 pritet që të funksionojnë edhe ndaj varianteve të reja, siç është ai i identifikuar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe gjetkë, është e mundur që virusi të pësojë mutacion sërish në të ardhmen dhe këto vaksina duhet të modifikohen.
Mutacionet në viruset e gripit, për shembull, janë arsyeja se pse njerëzit vaksinohen çdo vit kundër gripit. Por, ekspertët theksojnë se koronavirusët në përgjithësi, nuk pësojnë mutacione kaq shpesh sa gripi.
Çka nëse vaksinat kundër COVID-19 nuk e parandalojnë infeksionin?
Vaksinat kundër COVID-19, që tashmë po administrohen, tash për tash duket se janë efektive në parandalimin që njerëzit të sëmurën nga kjo sëmundje. Ende nuk dihet se sa mirë funksionojnë ato në ndalimin e transmetimit të virusit, por ekspertët thonë se vaksinat duhet të ndihmojë që të ulet përhapja e virusit.
Edhe nëse një person infektohet me virus pasi që është vaksinuar, trupi i tij duhet të jetë në gjendje që ta luftojë virusin për një kohë më të shkurtër, thotë Deborah Fuller, eksperte për vaksina në Universitetin e Uashingtonit.
Eksperti kryesor për sëmundje ngjitëse në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci theksoi se vaksinimi i sjell përfitime shëndetit publik, duke shtuar se vaksinimi ka potencial që të ulë përhapjen e virusit.
“Nuk është e mirë vetëm për ty dhe familjen e komunitetin tënd, por do të ketë ndikim të madh edhe në dinamikat e shpërthimit të virusit në vendin tonë”, tha ai. /Rel/