Teksa kanë kaluar rreth 15 muaj që prej ‘shpërthimit’ të virusit, pandemia Covid-19 vazhdon të mbajë ‘mbërthyer’ disa vende. Shkak janë mutacionet dhe variantet e reja të koronavirusit, të cilat shfaqen vazhdimisht. Efektiviteti i vaksinave kundër mutacioneve të koronavirusit, do të përcaktojë se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm në të gjithë botën.
Revista amerikane e vlerësuar ndërkombëtarisht “Atlantic” ka nxjerrë në pah tre parime të thjeshta në lidhje me raportin me vaksinës dhe varianteve të COVID.
Vaksinat ende mundin të gjitha variantet
Varianti britanik kishte nisur të përhapej në të gjithë botën kur filluan vaksinimet e para. Deri më tani ato kanë rezultuar efektive ndaj këtyre mutacioneve duke ulur me 90% rrezikun për njerëzit e vaksinuar dhe me 50% mundësinë e transmetimit të virusit tek të tjerë. Në rastet shumë të rralla që një person i vaksinuar kundër Covid-19 të sëmuret, infeksioni është më i lehtë dhe me një ngarkesë më të ulët virale, pra më pak ngjitës.
Sipas të dhënave, dy doza të vaksinës Pfizer kanë 88% efektivitet në parandalimin e infeksionit me ndonjë simptomë të variantit Delta dhe janë 95% efektive në shmangien e shtrimit në spital.
Një dozë e vetme është vetëm 33% efektive në parandalimin e infeksionit simptomatik. Megjithatë, është ende e paqartë në çfarë mase mund ta transmetojë virusin tek të tjerët një person i vaksinuar plotësisht.
Një studim i fundit, i udhëhequr nga eksperti Ravindra Gupta i Universitetit të Kembrixhit, gjeti raste të punonjësve shëndetësorë në Indi të cilët, megjithëse ishin vaksinuar plotësisht me AstraZeneza, u infektuan me Delta dhe e transmetuan tek të tjerët. Nëse kjo vlen edhe për vaksinat e ARN-së, atëherë mbase edhe të vaksinuarit duhet të vazhdojnë të mbajnë maskën në ambiente të mbyllura.
Delta dhe variante të tjera të Covid prekin të pavaksinuarit
Të vaksinuarit janë më të sigurt ndaj varianteve të Covid, ndërsa personat e paimunizuar janë më të rrezikuar se kurrë. Edhe nëse këta të fundit ‘përfitojnë’ nga mbrojtja indirekte falë njerëzve të vaksinuar të cilët gradualisht po ndërtojnë një mur të imunitetit kolektiv, njerëzit e pavaksinuar priren të krijojnë vazhdimisht shpërthime të reja të pandemisë, madje edhe brenda komuniteteve me nivele të larta të vaksinimit.
Kjo ndodhi në Britani, edhe pas ardhjes së Delta, ku gjysma e popullsisë ishte e vaksinuar plotësisht, incidenca është pothuajse trefishuar dhe numri i shtrimeve në spital Covid-19 është pothuajse dyfishuar. Kjo nuk do të thotë që vaksinat nuk funksionojnë, por thjesht se edhe vendet me programe të avancuara të vaksinimit kanë ende një përqindje të madhe të njerëzve të pavaksinuar. Delta, siç tregohet nga të dhënat e SHBA, po përhapet më shpejt në zona me norma më të ulëta të vaksinimit
Pabarazitë globale të vaksinimit e përkeqësojnë problemin, pasi nga tre miliardë doza të administruara në të gjithë botën, rreth 70% janë administruar në vetëm gjashtë vende (ndërsa Delta është zbuluar në mbi 85).
Skeptikët rrisin rrezikun që vaksinat ta humbin betejën përballë varianteve të reja të COVID
Infeksioni tek njerëzit që nuk janë vaksinuar ende do të rrisë mundësinë për të shfaqur mutacione të reja, që përhapen më lehtë dhe mposhtin imunitetin natyral. Sa më gjatë që i lëmë hapësirë virusit të infektojë njerëzit, aq më i madh është rreziku i aftësisë së tij për të shpëtuar nga imuniteti.
Nuk ka gjasa që të jemi aq të prekshëm sa në fillim të pandemisë, pasi vaksinat kanë prodhuar antitrupa të ndryshëm mbrojtës dhe imunitet qelizor në trupin e vaksinuarve, kështu që do të jetë e vështirë për një variant të përhapet. Nëse kjo ndodh, edhe njerëzit e vaksinuar plotësisht do të kenë nevojë për një dozë përforcuese.