Fjalë Kyçe

Nga veriu në jug, këto janë plazhet më të bukura në Shqipëri

Nga veriu në jug, këto janë plazhet më të bukura në Shqipëri

Kjo është periudha kur plazhet janë të mbushura plot me turist të huaj dhe vendas në Shqipëri.

Gjithmonë e më tepër njerëzit kërkojnë të lëvizin dhe të vizitojnë vende të ndryshme.

Që nga veriu e deri në jug, vendi ynë është i pasur me gjire fantastike, ku mund të shijosh natyrën e bukur e cila është e ndërthurur mes detit dhe malit.

Bregu i Jonit ofron një mjedis unik në zemër të Europës.

Në Shqipërinë e Jugut do të gjeni plazhet qiellore që ju nuk prisni.

Malet me pamje nga deti, natyra e paprekur dhe uji i kristaltë, jo rastësisht në vitet e fundit, për shkak të plazheve të saj, Shqipëria është bërë një nga destinacionet turistike më popullore, transmeton Dita.

Në bazë të shkrimeve që janë bërë në mediat e huaja, frekuentimit, natyrës, fotografive që janë shpërndarë, ne kemi zgjedhur 10 plazhet më të bukura të detit Adriatik dhe Jon. Listës mund t’i shtohen edhe shumë të tjerë, por këto janë disa nga përzgjedhjet tona

Po e fillojmë nga jugu…

1.Ksamili

Ksamili është cilësuar dhe si perla e Jonit dhe qëndron para ishullit të Korfuzit, pak kilometra nga kufiri grek. Në këtë plazh të bregdetit të Jonit ndodhen ishujt, të cilët mund t’i eksplorosh me not ose me një udhëtim me varkë, duke lënë prapa Parkun Kombëtar të Butrintit, një nga parqet më të bukura arkeologjike të Ballkanit, sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

2.Karaburuni

Pamja e Karaburunit është spektakolare, sepse ofron kaq shumë qoshe të fshehura. Pranë bregut që rrethon Vlorën, qyteti i tretë i vendit, gjejmë Parkun Detar Kombëtar. Mos e humbisni gjirin e Gramës, të fshehur midis maleve shkëmbore. Në Karaburun, uji është kristal dhe ka shumë limane të veçuar me guralecë të bardhë.

3.Porto Palermo

Porto Palermo është një gadishull i vogël në të cilin ndodhet kalaja e ndërtuar nga Ali Pasha Tepelena, politikani dhe guvernatori i shumë territoreve europiane të Perandorisë Osmane, në nder të gruas së tij, gjatë shekullit të 19-të. Ky plazh shqiptar është vendi ideal për ata që e duan natyrën e egër. Sigurisht që meriton një ndalesë për shkak të detit, por edhe të kështjellës që mund të vizitohet.

4. Dhërmiu

Një nga plazhet më të njohura dhe më të mbushura me njerëz në bregun shqiptar të Jonit është ai i Dhërmiut, i frekuentuar nga vendasit dhe turistët e tërhequr nga ujërat e mrekullueshme dhe të pastra blu. Gjatë udhëtimit do të hasni shumë bunkerë të shpërndarë të periudhës komuniste.

5.Borshi

Borshi është plazhi më i gjatë në brigjet e Jonit, me tre kilometra vijë bregdetare është vendi ideal për ata që duan të pushojnë. Plazhi është i rrethuar nga natyra e lulëzuar e përbërë kryesisht nga pemët e ullirit dhe agrumet. Ata që e duan ecjen mund ta bëjnë këtë në bregdet, i cili ofron dhe një zbulim të artit bizantin, ku mund të vizitohet fshati me të njëjtin emër dhe kështjellën e tij.

6.Himara

Deti blu dhe i pastër është karakteristika e plazhit të Himarës, i cili në vitet e fundit është bërë një vend shumë turistik. Këtu do të gjeni kryesisht gjire të vogla dhe të rrumbullakëta me një pamje graduale në det. Gjithashtu ka edhe shumë objekte akomodimi. Perlë e vërtetë është qyteti antik në majë të kodrës, ku mund të admirohen rrënojat e kështjellës së Himarës.

7. Palasa

Palasa ndodhet pas LLogorasë, në jug të Vlorës dhe është një shtrirje e bukur e bregdetit të vetmuar, ku vitet e fundit po bëhen shumë ndërtime. Për momentin Palasa është ende një për ata që duan të largohen nga turizmi masiv dhe që preferojnë kontaktin me natyrën.

8.Qeparoi

Në Qeparo, plazhi me guralecë, që në det ka një shtresë rëre, është një vend relaksues, por gjithashtu i pasur me histori. Duke shëtitur në këmbë mbërrijmë në qytetin e vjetër mes rrugicave të ngushta dhe shtëpive me gurë. Sigurisht, për të arritur atje duhet të bëni një ecje ku përballë do ju shfaqet Jali, një gji i vogël me një bregdet të mbushur nga guralecë të bardhë. I rrethuar nga bare dhe restorante, është një plazh shumë turistik dhe i mbushur me njerëz.

9.Gjipeja

Gjipeja është një nga plazhet më të egra në Shqipëri, në të cilin mund të arrini me një shëtitje prej 30 minutash nën diell dhe nën gjurmët e kuqe të tokës me një distancë prej 1.5 km që zbret poshtë maleve. Uji i pastër në ngjyrë smeraldi, Gjipeja është e vendosur mes shkëmbinjve dhe gjatë ditës, në sajë të dritës së diellit, ajo ndryshon ngjyrën.

10. Vunoi

Plazhi i Vunoit ndodhet midis maleve të brigjeve të Gjipesë dhe Jalit dhe krenohet me një fshat të bukur me shtëpi prej guri. Këtu duket se moti është ndalur, natyra është e pazbuluar dhe zona nuk është e mbushur me njerëz, kështu që ju nuk do të keni rrezik të mos dini se ku do hapni çadrën tuaj të diellit.

 

Në Adriatik…

Plazhet e Shqipërisë së veriut, të cilat lagen nga deti Adriatik, janë ranore dhe me ujëra të cekëta prandaj janë edhe të preferuarit për familjet me fëmijë.

Ekzistojnë laguna dhe ekosisteme natyrore, prandaj ky bregdet është shumë i popullarizuar edhe mbetet i preferuar dhe nga turistët.

Më poshtë po rendisim 10 plazhet më të bukura në bregdetin e Adriatikut.

1.Velipoja

Plazhi i Velipojës është plazhi më verior i vendit që ndodhet 22 km nga qyteti i Shkodrës dhe është një nga destinacionet më të preferuara për atë që duan detin. Katërmbëdhjetë kilometra vijë bregdetare karakterizohen nga një plazh i pasur me jod. Një vend i dashur nga ata që duan të praktikojnë sportet ujore.

2. Shëngjini

Plazhi i Shëngjinit është një tjetër plazh ranor pranë rrethit të Lezhës, i vendosur 8 km nga qyteti historik i Lezhës. I njohur për rërën e tij dhe faktin që këtu do të gjeni diellin 300 ditë në vit. Një zonë shumë e populluar, veçanërisht në verë, zona e Shëngjinit është e njohur në të gjithë Shqipërinë si për detin, gjithashtu dhe për kuzhinën e saj të famshme.

3. Rana e Hedhun

Në veri të Shëngjinit, gjendet plazhi i mrekullueshëm i quajtur Rana e Hedhun, i cili është i mbrojtur mirë nga erërat e asaj zone. Ky plazh është quajtur kështu, për shkak të peizazhit të tij me kodra të larta me pamje nga deti dhe të mbuluara me rërë. Sporti më i praktikuar? Rrëshqitni në dunat e rërës!

4. Gjiri i Lalzit

Një nga plazhet më të frekuentuara të bregdetit shqiptar të Adriatikut është padyshim dhe Gjiri i Lalzit në veri të Durrësit. Uji i pastër, rërë e hollë dhe një pyll i dendur me pisha, e bëjnë këtë vend të përshtatshëm për ata që duan të relaksohen me detin. Plazhi është vetëm 25 kilometra nga kryeqyteti i Tiranës dhe është lehtësisht i vizitueshëm.

5. Kepi i Rodonit

Kepi i Rodonit është një kryevepër natyrore e mrekullueshme prej 7.5 km dhe është një tërheqje e madhe për ata që e duan zhytjen. Në vitet e fundit ai është bërë shumë turistik dhe po vazhdon të ruajë bukurinë e tij.

6. Durrësi

Plazhi i Durrësit, i vendosur vetëm 39 km larg Tiranës, është plazhi më i madh dhe më i vizituar në vend. Nuk është rastësi që vija bregdetare është gjithmonë e mbushur me njerëz, pasi ofron një kuzhinë të shkëlqyer dhe shumë argëtim. Thellësia e detit gradualisht rritet, gjë që e bën plazhin të sigurt për familjet dhe fëmijët. Durrësi është qyteti i dytë më i madh në Shqipëri dhe porti kryesor i vendit.

7. Currilat

Në veri të Durrësit, plazhi i Currilave është më i thellë dhe mbrohet nga era e ngrohtë. Duke qenë shumë afër plazhit kryesor, ofron shumë atraksione turistike. Është një vend i përshtatshëm për familjet, sepse është shumë i mbrojtur.

8. Golemi dhe Mali i Robit

Në jug të Durrësit gjenden Golemi dhe Mali Robit, të cilët ndodhen pranë njëri-tjetrit. Këtu ka rërë të bardhë dhe det të kristaltë. Ka edhe disa monumente natyrore, mundësi për shëtitje, ose argëtim me sporte ujore.

9. Vlora

Vlora, është porti i dytë më i madh në vend dhe është një nga qendrat e turizmit shqiptar, por plazhi ka shumë vende turistike, veçanërisht sepse është një qendër për ata që duan të zhyten në plazhet e vogla dhe shkëmbore të gjirit të Vlorës, ose të vizitojnë portin e Orikumit.

10. Spille

Plazhi i Spillesë është një parajsë e vërtetë e Shqipërisë. E mbyllur në mes të natyrës dhe pishave, ky plazh që është pranë Durrësit është një nga më të pastrit dhe më pranë natyrës.