Fjalë Kyçe

Studim: Konsumimi i qumështit zvogëlon frakturat te të moshuarit

Studim: Konsumimi i qumështit zvogëlon frakturat te të moshuarit

Të moshuarit shpesh konsumojnë më pak kalcium dhe proteina, gjë që mund të çojë në kocka të dobëta dhe rritje të rrezikut të rrëzimit e frakturave. Dihet mirë se ushqimet e pasura me kalcium dhe proteina, si qumështi, kosi dhe djathi ndihmojnë në parandalimin e zbutjes së kockave, por pak studime kanë hulumtuar nëse rritja e marrjes ditore të këtyre ushqimeve është një mënyrë efektive dhe e sigurt për të reduktuar rrezikun e frakturave tek të moshuarit.

Kështu, studiuesit me bazë në Australi, Holandë dhe SHBA vendosën të shqyrtojnë nëse marrja e sasisë së rekomanduar ditore të kalciumit dhe proteinave nga burimet ushqimore do të zvogëlonte rrezikun e frakturave të zbutura tek të moshuarit dhe të rriturit.

Hulumtimi dyvjeçarë përfshiu 60 objekte të kujdesit për të moshuarit në Australi që strehonin 7,195 banorë (72 përqind gra; mosha mesatare 86 vjeç). Ata kishin mjaftueshëm vitaminë D, por marrjen ditore të kalciumit dhe proteinave e kishin nën nivelet e rekomanduara, shkruan India, transmeton Klankosova.tv.

Tridhjetë objekte ishin përzgjedhur për t’u siguruar banorëve qumësht, kos dhe djathë shtesë, duke arritur marrjen e 1,142 mg kalcium në ditë dhe 1,1 g proteina/kg peshë trupore në ditë. Kurse 30 objektet e mbetura vazhduan me menunë e tyre të zakonshme (700 mg në ditë kalcium dhe 0,9 g proteina/kg peshë trupore në ditë).

Të dhënat u analizuan dhe gjithsej 324 fraktura (135 fraktura të ijeve), 4,302 rrëzime dhe 1,974 vdekje ndodhën gjatë periudhës së studimit. Kështu pati zvogëlim të rrezikut për 33 përqind për të gjitha frakturat, 46 përqind për frakturat e kofshës dhe 11 përqind për rrëzimet. Nuk kishte asnjë ndryshim në grup në vdekshmërinë nga të gjitha shkaqet.

Studiuesti thonë se, përmirësimi i marrjes së kalciumit dhe proteinave duke përdorur ushqime të qumështit “është një ndërhyrje lehtësisht e arritshme që redukton rrezikun e rrëzimeve dhe frakturave që ndodhin zakonisht tek të moshuarit e institucionalizuar”.