Një pamje atraktive e piktoreske që natyra e i ka krijuar vendit tonë, ndodhet rreth nëntëdhjetë kilometra në jugë lindje të kryeqytetit të Kosovës.
Thuajse në mes të autostradës Prishtinë Shkup apo Kosovë Maqedoni e Veriut e anasjelltas , afër Kaçanikut të vjetër, lëshon autostradën për të vazhduar në drejtim të Maleve të Sharrit, rajon ky tejet atraktiv për turistët.
Pamje mahnitëse gjelbëruese me kullosa e pyje të llojllojshme e kodrina të hatashme në të cilat akoma nuk është shkrirë bora nisin të shfaqen përpara. Edhe më të bukur pamjen e bëjnë edhe e lumenjtë e rrëmbyeshëm me ujëra të ftohta.
Po ashtu, kjo zonë ka thuajse edhe ajrin më të pastër në vendin tonë dhe që shumë vizitorë të cilët kanë edhe disa problem shëndetësore, arrijnë që të shërohen nga ajri i Bjeshkëve të Sharrit.
Nëpër rrugë gjarpëruese e jo të mirëmbajtura si duhet nga institucionet, vazhdohet rruga tek bukuritë natyrore të Prevallës. Numri i automjeteve me targa vendëse dhe ato nga Maqedonia, Serbia e vende tjera sa vije e shtohen. Kalohet qyteti i Shtërpcës dhe bukuritë sa vijnë e shtohen, ku vizitorët shfrytëzojnë edhe rrugët me kthesa e tatëpjetëza, për të parë, shijuar e realizuar ndonjë fotografi e video nga pamjet mahnitëse.
Jo pak vetura shihen të parkuara në rrugë, e ku herë herë edhe rruga kalohet me vështirësi. Vizitorët mundohen të gjejnë vende sa më të mira e atraktive për qëndrim e relaksim.
Bujari, kishte ardhur me familjen e tij nga Bujanoci dhe i cili ndalej në disa nga pikat që sipas tij ishin më të bukurat për ti shijuar. Ai tregon për “Syri, net Kosova” është adhurues i flakët i natyrës dhe se ka vendosur që një ditë ta kalojë në këtë pjesë atraktive me bukuri të llojllojshme natyrore.
Derisa përpara shfaqen kodrinat me pyje të dendura e të cilat sa vijnë e duket se po rriten. Para vetës na shfaqen shumë vetura të parkuara në rrugë, e të cilat kanë vështirësuar edhe lëvizjen e lirë në mungesë parkingjesh. Kjo tollovi është krijuar pasi që aty buron një lumë nga kodrina lart, e cila duket si ujëvarë.
Qytetarë të shumtë nga anë të ndryshme të vendit e jashtë, nën hije të drunjve të mëdhenj kanë zënë pozita për të pushuar. Derisa gjinia femërore bëjnë gatime tradicionale apo flija, meshkujt bëjnë grill e të vegjlit mundohen ti ndihmojnë të dyja palët. Ka edhe të atillë që bëjnë gjumë, e derisa Anton Pushkovski nga Shkupi me familje shikojnë ujin e rrëmbyeshëm teksa nga kodrina lartë buron poshtë. Ata mundohen të realizojnë edhe fotografi sa më të mira për kujtim nga ky vend atraktiv.
Rruga vazhdon drejt kodrinave, ndalesa e radhës është tek një pikë e lartë e shoqëruar nga një kthesë e madhe, ku si në shuplakë të dorës, duket hapësira lindore e vendit, ku edhe aty vizitorët e shumtë nuk e lënë sa herë që kalojnë pa shikuar pamjen magjepse të një pjese të madhe të vendit ku e gjitha duket e gjelbëruar. Alfred Sharra, nga Tirana, mahnitet me këtë pamje, duke thënë se fjalët janë të papërshkrueshme nga ky vend.
I ofrohem majës së Prevallës, aty ku edhe dy kodrinat e larta ndajnë rrugën kryesore që të shpie për Prizren. Makina e autobusë të shumtë që mezi gjejnë vend për parking.
Në pjesën e djathtë të rrugës shtrihen vila, hotele, bujtina e shtëpi të shumë e të cilat thuajse janë të mbingarkuara. Derisa në pjesën tjetër të kodrinës qindra mijëra qytetarë nga anë të ndryshme të vendit e rajonit ia mësyn tatpjetëzës.
Nga kjo majë në katër anët shfaqen pamje mahnitëse e të shumëllojshme, në njërën anë shihen kodrinat e retë andej e këndej, derisa në anët tjera shihen sipërfaqet e shumta thuajse deri në Prizren e nga ana tjetër shihet sipërfaqja thuajse deri në Ferizaj. Shumë vizitorë frekuentojnë lokalet për pije e ushqime, derisa të tjerë ecin andej këndej për të shijuar pamjet fantastike. Shumë të tjerë pushojnë e pjesa tjetër argëtohen e lozin sipas qejfeve të tyre.
Grupe jo të pakta të organizuara kishin ardhur me minibusë nga Shqipëria e të cilët këtë vend e frekuentojnë për herë të parë dhe shprehen të mahnitur me këtë atraksion madhështor.
Edhe rreth dyqind egjiptianë nga të gjitha viset e Kosovës në kuadër të Javës Egjiptiane kanë vizituar këtë zonë, shumë nga ata treguan për “Syri.net Kosova”, se janë të kënaqur që vizituan këtë vend që është një atraksion mahnitës.
Derisa dielli pasdite nisë të largohet krahas saj lëvizin edhe vizitorët drejtë lindjes e perëndimit.
Vazhdon rrugëtimi me pamje po ashtu atraktive për rreth 30 kilometra drejt perëndimit për në Prizren,
ku po ashtu ka male e kodrina të larta mbi rrugë, lumi që buron po thuajse për rreth rrugës dhe tuneleve e rrugës gjarpëruese, ku edhe bie errësira.