Fjalë Kyçe

A do të takohet Vjosa Osmani me Aleksanëdr Vuçiqin në Slloveni?

A do të takohet Vjosa Osmani me Aleksanëdr Vuçiqin në Slloveni?

Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë në takimin e 10-të të procesit “Brdo-Brijuni”, ku do të diskutohet për pasojat e pandemisë, për rimëkëmbjen ekonomike dhe procesin e zgjerimit të BE-së. Vitet e fundit Kosova ka munguar në nismat rajonale, kryesisht për shkak të problemeve me Serbinë. Mospjesëmarrja në njërën prej nismave të fundit- atë të Mini-Schengenit ishte kritikuar nga ndërkombëtarët. Derisa me Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit të kaluar Kosova u zotua të marrë pjesë në Mini-Schengen, në programin e Qeverisë aktuale nuk përmendet kjo nismë. Njohës të integrimeve thonë se bashkëpunimi rajonal krahas dialogut me Serbinë është kriter kryesor për përparim drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE)
Kosova iu rikthehet nismave rajonale me pjesëmarrjen e së hënës në Samitin e Brdo Brijunit. Në procesin i cili shënon dekadën e parë, Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.

Sipas Presidencës, temat që do të diskutohen janë adresimi i pasojave të COVID-19, rimëkëmbja ekonomike, zgjerimi i BE-së si prioritet gjeostrategjik, si dhe përmbyllja e projektit të Evropës së bashkuar me përfshirjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Në këtë samit, presidentja Osmani do t`i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces. Në margjina të takimit, presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me presidentët e Kroacisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Për t’u koordinuar rreth samitit këtë javë në Kosovë qëndroi nikoqiri i takimit, presidenti Borut Pahor. Në një intervistë ekskluzive për KOHËN, ai tha se pret që pas konkluzioneve të këtij samiti, Bashkimi Evropian të rikthejë vëmendjen dhe angazhimin për zgjerim edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Më duhet të them se një kohë të gjatë nuk ka pasur një interes aq të madh të Bashkimit Evropian dhe të faktorit ndërkombëtar lidhur me qëndrimet dhe interesimin tonë rreth çështjeve që na preokupojnë. Sigurisht, pas përmbushjes së reformave që kërkohen dëshirojmë dhe në një kohë jo të largët duam ta shohim rajonin aty ku e ka vendin, pra si pjesë të Bashkimit Evropian”, ka thënë Pahor.

Përveç Osmanit, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar anëtarët e Presidencës boshnjake, Milorad Dodik e Sefik Xhaferoviq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ai i Shqipërisë, Ilir Meta, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Njohës të integrimeve thonë se bashkëpunimi rajonal është obligim ndërkombëtar në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Pra, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) kërkon që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre respektive drejt Bashkimit Evropian të sigurojnë fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të thellë rajonal. Ky bashkëpunim ka marrë forma të ndryshme ekonomike, financiare, kulturore. Në kuptimin politik Kosova është pjesë e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, sikurse Procesi i Berlinit. Në kuptim ekonomik mund ta marrim shembull CEFTA-n, ku Kosova përfiton e barabartë si shtetet e tjera. Në këtë kuptim edhe Samiti në Brdo është hap i duhur që Kosova të promovojë bashkëpunimin rajonal, sepse së bashku me dialogun me Serbinë kjo përbën kriterin kyç për avancimin e rrugës evropiane të Kosovës”, ka thënë Demush Shasha nga Instituti Epik.

Procesi Brdo-Brijun është iniciativë e përbashkët nga Sllovenia dhe Kroacia, që u formua si një proces për t’i dhënë shtytje zhvillimit politik dhe të përgjithshëm në Evropën Juglindore. Nëpërmjet tij synohet të jepet kontribut në procesin e zgjerimit, të njëjtën kohë duke adresuar çështjet e politikave rajonale.

“Përveç shënimit të dhjetëvjetorit të tij, takimi i udhëheqësve brenda nismës Brdo-Brijuni do të jetë një mundësi për të konfirmuar dhe forcuar angazhimin që të vazhdohet me procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Udhëheqësit do të kenë gjithashtu një shans për të shkëmbyer mendime për çështje të tjera aktuale në një atmosferë joformale”, thuhet në njoftimin e Zyrës së presidentit të Sllovenisë.

Vitet e fundit Kosova ka munguar në nismat rajonale, kryesisht për shkak të problemeve me Serbinë. Mospjesëmarrja në nismën e Mini- Schengenit ishte kritikuar nga ndërkombëtarët. Por me Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit të kaluar, Qeveria ndryshoi qëndrimin duke pranuar t’i bashkohet nismës rajonale.

Demush Shasha nuk sheh ndonjë dobi nga kjo nismë. “Që nga lansimi i idesë, Mini-Shengeni është ballafaquar me probleme të shumta, por le të qëndrojmë në dy prej tyre- problemi formal dhe ai thelbësor. Sa i përket atij formal- që nga lansimi i tij ka dështuar të sigurojë minimumin që kërkohet në kuadër të bashkëpunimit rajonal, e ajo është që të gjitha palët të jenë të përfshira dhe të gjitha palët të trajtohen barabartë”, ka thënë Shasha. Sipas tij, në kuptimin thelbësor iniciativa asnjëherë nuk ka arritur të krijojë momentum.

“Ka kaluar shumë kohë prej samitit të fundit, ndërsa samitet e para nuk kanë pasur asnjë thelb. Ka një arsye pse. Po e njëjta iniciativë me të njëjtat mundësi e qëllime ekziston prej vitit 2014 dhe ai është Procesi i Berlinit. Nuk ka asnjë sens të krijohet një proces paralel me procesin e Berlinit. Prandaj Kosova nuk duhet ta mbështet iniciativën e Mini- Schengenit”, ka shtuar Shasha. Ai vlerëson se Kosova duhet të insistojë që të gjitha synimet e Mini-Shengenit të zbatohen në kuadër të Procesit të Berlinit ku në tavolinë janë kancelarja Merkel, presidenti Macron, kancelari i Austrisë, kryeministri i Sllovenisë, ai i Kroacisë e Italisë.

Megjithëse nuk përmendet Mini-Schengeni, Qeveria Kurti është zotuar të marrë pjesë në nismat rajonale vetëm si palë e barabartë.

Mbështetur në programin qeverisës, Kosova do të përfaqësojë me profil të qartë dhe të pavarur interesat nacionale të vendit dhe qytetarëve të tij në formatet e ndryshme të bashkëpunimit rajonal.

“Kontributi ynë do të jetë konstruktiv dhe do të synojmë njëkohësisht respektimin e normave ndërkombëtare. Republika e Kosovës e dëshiron bashkëpunimin rajonal. Mirëpo nevojitet një bashkëpunim pa diskriminim. Kjo vlen që nga njohja e dokumenteve tona shtetërore e deri te përfaqësimi i vendit tonë. Ashtu si Kosova është njohur nga shumica dërrmuese e shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s, po ashtu presim edhe respektimin e plotë të sovranitetit tonë nga shtetet e rajonit”, shkruan në program.

Iniciativa e cila nisi nga Nishi i Serbisë nuk është sqaruar deri në fund nga asnjëri prej shteteve që morën pjesë. Takimi i dytë u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pas të cilit mediat serbe publikuan një dokument me 10 pika të Marrëveshjes. Sipas dokumentit, udhëtimi i shtetasve të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë brenda territorit të tri vendeve bëhet vetëm me letërnjoftim. Ndërkaq të huajt në shtetet anëtare të nismës mund të udhëtojnë pa viza shtesë. Lejet e përbashkëta të punës dhe njohja e kualifikimeve dhe diplomave, pa procedura shtesë, është pika tjetër e Marrëveshjes. Po ashtu, mbështetur në dokument Marrëveshja parasheh shkëmbimin e studentëve; Projekte të përbashkëta; Prezantimi i një kohe pune 24-orëshe për të gjitha shërbimet e inspektimit kufitar, me fokus në inspektimin fitosanitar dhe veterinar; Paketë unike e dokumentacionit që kërkohet për transitin e mallrave, me theks në prezantimin e sa më pak dokumenteve që të jetë e mundur, në përputhje me strategjinë e zhvillimit digjital.

Fuqia ekonomike mes shteteve të Ballkanit Perëndimor është joproporcionale ku Serbia konsiderohet tregu më i madh rajonal.

Takimi i tretë dhe i fundit në kuadër të Mini-Schengenit është mbajtur në Durrës. Përveç Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, në tryezë ishin përfshirë edhe përfaqësues nga Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Ftesën e Ramës për takimin e dhjetorit në Durrës e patën refuzuar udhëheqësit institucionalë të Kosovës. Ashpërsinë dhe akuzat e tij karshi liderëve të Kosovës, Rama i kishte dhënë në Samitin e Ohrit. Ai ua kishte kujtuar liderëve të Kosovës takimet e së kaluarës ku prezenca e Serbisë nuk ka paraqitur kurrfarë pengese.

Pas arritjes së Marrëveshjes në Uashington, pjesë e së cilës është edhe Mini-Schengeni, Rama ka kritikuar dy qeveritë e kaluara të Kosovës që kishin “vonuar” Marrëveshjen e Mini-Schengenit Ballkanik. Sipas tij, Marrëveshja e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia nuk dallon aspak nga propozimi i tij i kahershëm për Mini-Schengenin.

Forcimin e bashkëpunimit rajonal si një instrument efikas për para procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE e kishte shpalosur për herë të parë kancelarja gjermane Angela Merkel, në gusht të vitit 2014, kur lansoi nismën e njohur si Procesi i Berlinit. Pjesëmarrëse janë gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, të cilat ndodhen në faza të ndryshme të procesit të integrimit në BE, si Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Pjesë e Samitit janë edhe gjashtë shtete anëtarë të BE-së, Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Sllovenia.

Zgjidhja e problemeve bilaterale përfaqëson një pjesë të madhe të Procesit të Berlinit, duke u fokusuar në mosmarrëveshjet e mbetura, si dhe disa çështje potenciale që pritet të rrjedhin kryesisht me demarkacionit kufitare. Përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe morën formë gjatë Samitit të Vjenës, me lëshimin e deklaratës së përbashkët për çështjet bilaterale. Megjithatë, deri tani ka pasur mungesë të mekanizmave të zbatimit apo monitorimit që do të siguronin zbatimin e zotimeve të bëra gjatë këtij procesi.

Përpjekjet për lehtësimin e shkëmbimeve dhe tregtisë mes vendeve të Ballkanit, veçmas Kosovës dhe Serbisë, morën intensitet pas vitit 2011, kur nisën negociatat nën ndërmjetësimin e Brukselit. Por shumë prej marrëveshjeve të arritura ndër vite ende nuk kanë gjetur zbatim.