Fjalë Kyçe

A duhet të bartin fëmijët maska?

A duhet të bartin fëmijët maska?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se fëmijët që nga mosha 12-vjeçare dhe më të rritur duhet të bartin maska për të ndihmuar në parandalimin e pandemisë së koronavirusit. Sipas OBSH-së, këta fëmijë duhet t’i bartin maskat sikur të rriturit, ndërsa ata nga mosha 6 e deri 11 vjeç duhet t’i bartin maskat në raste ku ka shenja rreziku.

Fëmijët më të rritur se 12 vjeç duhet të bartin maska kur distanca prej një metër me të tjerët s’mund të mbahet, ka thënë OBSH-ja dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) në një dokument të publikuar bashkë, raporton “Reuters”.

Teksa për fëmijët mes 6 dhe 11 vjeç bartja e maskës varet nga shumë faktorë, duke përfshirë intensitetin e transmetimit në hapësira të caktuara, mundësinë që fëmija të bartë një maskë, e kontrollit nga të rriturit, kanë thënë dy organizatat.

Fëmijëve më të vegjël nuk u kërkohet të bartin maska bazuar në sigurinë dhe interesin e përgjithshëm për fëmijët.

Studimet kanë treguar se fëmijët mund të luajnë rol aktivë në bartjen e koronavirusit, kanë thënë OBSH-ja dhe UNICEF-i duke shtuar se duhen më shumë të dhëna për të kuptuar rolin e vërtetë të bartjes së virusit nga ta.

Fillimisht OBSH-ja më 5 qershor kishte kërkuar nga njerëzit të bartin maskat për të reduktuar shpërndarjen e koronavirusit, ndërsa më herët s’kishte ndonjë udhëzim për fëmijët.

Më shumë se 23 milionë njerëz janë regjistruar si të infektuar me koronavirus në gjithë botën që kur u identifikua në fund të vitit të shkuar në Kinë. 800 mijë kanë humbur betejën me COVID-19.