Instalimi i kamerave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, po sjell rezultate në ruajtjen e aparaturave në diagnostikim.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, ka thënë për Radio Kosovën se monitorimi me kamera po ndihmon në evitimin e dukurive negative në këtë institucion.
Defektet e shpeshta të aparaturave për diagnostikim që ndodhnin jo rrallë herë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, bënin që menjëherë të dëmtohen xhepat e pacientëve, sepse ata detyroheshin të drejtoheshin në klinikat private.
Mirëpo, tani me vendosjen e kamerave vërehen ndryshime pozitive në këtë aspekt, tha Basri Sejdiu, drejtor i Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës.
“Vërehet që ka më pak defekte. Pos tjerash vërehen edhe shumë dukuri të sjelljeve, qoftë të palëve apo të pacientëve, apo atyre që ofrojnë shërbime shëndetësore. Mendoj, se monitorimi na ndihmon shumë në evitimin e të gjitha dukurive negative”, tha ai.
Një gjë të tillë e pohon edhe drejtori i Klinikës së Biokimisë Mjekësore, Shemsi Veseli.
“Ka pasur indikacione dhe ka pasur edhe dyshime se ndoshta dikush që punon edhe privatisht ka mundur ta dëmtojë aparatin për të mos punuar. Por megjithatë tani është një kontroll shumë më e madhe dhe tani nuk kemi defekte. Për shembull, është një indikacion që ka qenë pikërisht në CT-në, përpara ka pasur prishje shumë më të shpeshta, gjë që tani nuk kemi prishje”, tha ai.
Para vendosjes së kamerave, Klinika e Biokimisë është përballur edhe me keqbërësit të cilët vjedhin kuletat e pacientëve, ndërsa tani ky problem është evituar, tha drejtori i klinikes, Veseli.