Fjalë Kyçe

Asnjë pacient i sëmurë me kancer nuk ka vdekur nga COVID- 19

Asnjë pacient i sëmurë me kancer nuk ka vdekur nga COVID- 19

Prej 13 marsit e deri më sot numri i të vdekurve si pasojë e infektimit me COVID- 19 ka arritur në 625. Pothuajse për të gjithë të vdekurit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka deklaruar se kanë pasur sëmundje shoqëruese.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kontaktuar me drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishin për të kuptuar se si është gjenda me kancer në këtë kohë pandemie.

“Situata në Kosovë është e menaxhueshme. Në krahasim me vitin e kaluar për përiudhën e njëjtë kemi 10 deri 15 për qind raste më pak.”, ka thënë Kurtishi.

Ai gjithashtu ka dhënë edhe statistika rreth të diagnostifikuarve me kancer në Kosovë, raporton FaktePlus.

“Deri në gusht të këtij viti 800 persona janë diagnostifikuar me kancer, ndërsa në vitin e kaluar për periudhën e njëjtë, numri ka qenë mbi 950.”, është shprehur drejtori i Onkologjisë.

Kurtishi ka dhënë një lajm të mirë sa i përket infektimit me COVID- 19 të pacientëve me kancer. Ai ka thënë se asnjë pacient me kancer nuk ka vdekur si pasojë e infektimit me koronavirus.

“Asnjë pacient i sëmurë me kancer nuk ka vdekur nga koronavirusi. Ka pasur edhe të atillë që kanë qenë në stazat më të avancuara dhe kanë qenë të infektuar me COVID- 19 mirëpo janë shëruar nga virusi.”, ka thënë Kurtishi.

Ai ka folur edhe rreth rrezikut të infektimit me koronavirus. Kurtishi ka thënë që personat e sëmurë më kancer janë të rrezikuar të infektohen me koronavirus.

“Personat e sëmurë më kancer janë të rrezikuar të infektohen me COVID- 19. Ata hyjnë në grupin e pestë të më të rrezikuarve me koronavirus.”, ka thënë ai.

Kurtishi, në përgjigjet dhënë redaksisë, ka thënë që numri i të vdekurve nga kanceri nuk dihet, mirëpo është shumë më i ulët se sa në vitet paraprake.

“Sa ka pasur të vdekur nuk kemi ende të dhëna të saktë, mirëpo numri është shumë i ulët.”, ka përfunduar Kurtishi.

Në vitin 2019, në Kosovë janë regjistruar 1 mijë e 586 raste të kancerit, mirëpo rastet më të shpeshta janë diagnostifikuar me kancer të gjirit.