Fjalë Kyçe

Bashkimi Evropian aprovon vaksinën Pfizer për moshat 12 deri 15 vjeç

Bashkimi Evropian aprovon vaksinën Pfizer për moshat 12 deri 15 vjeç

Agjencia për Barna e Bashkimit Evropian ka miratuar të premten përdorimin e vaksinës kundër COVID-19 të kompanive “Pfizer”-“BioNTech” mes fëmijëve të moshave 12 deri 15-vjeçare, në atë që e bën këtë kurë të parën që lejohet mes kësaj grupmoshe në bllokun evropian.

Njoftimi i së premtes është bërë pasi që drejtori për Evropë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka paralajmëruar se pandemia nuk do të marrë fund derisa të mos vaksinohet të paktën 70 për qind e popullatës së botës.

BE-ja veçse kishte miratuar përdorimin e kurës për të rinjtë nga 16 vjeç e tutje.

Pas këtij vendimi, shtetet anëtare duhet që të vendosin individualisht nëse do t’i imunizojnë fëmijët me këtë vaksinë.

Marco Cavaleri, shef i strategjisë së vaksinimit në EMA, ka njoftuar se për imunizimin e 12 dhe 15-vjeçarëve do të nevojiten dy doza të vaksinave dhe se intervali kohor midis dozave duhet të jetë paktën tri javë.

Para kësaj, Gjermania ka njoftuar se do ta fillojë vaksinimin e fëmijëve mbi 12-vjeç qysh nga 7 qershori.