Një gram i arit në Kosovë aktualisht blihet me çmim nga 45 deri në 50 euro.
Kështu deklaroi kryetari i Shoqatës së Artarëve, Enver Pakashtica, i cili tha se nga java e kaluar është regjistruar rënie e çmimit të këtij metali të çmuar.
“Nga java e kaluar është 2 për qind më lirë. Një javë më parë shitej me çmim 50 euro e tutje, kurse tash shitet 45-50 euro. Diferenca e çmimit është te puna e dorës – te dizajni”, u shpreh ai.
Pakashtica në emisionin “Portofol” në Klan Kosova FM, tha se nga mbyllja si pasojë e pandemisë së COVID-19 ari ka regjistruar një ngritje të çmimit rreth 15 për qind.
“Ari ka regjistruar ngritjen më të ulët nga marsi i 2020-ës deri më sot. Në ngritjen e çmimit kanë ndikuar krizat ekonomike, politikat e shteteve të ndryshme, luftërat si ajo në Ukrainë. Prandaj ka pasur ngritje të çmimit në berzë”.
Më tej ai shtoi se në vend nuk ka rezerva të arit nëpër banka.