Fjalë Kyçe

Çfarë të mos hamë në iftar e syfyr?

Çfarë të mos hamë në iftar e syfyr?

Po kalon java e parë e muajit të shenjtë të Ramazanit.

E myslimanët anembanë botës po agjërojnë duke qëndruar pa ngrënë e pa pirë nga agimi deri në perëndimin e diellit.

Veçse jo të gjithë janë të kujdesshëm se si hanë e çka hanë kur vjen iftari. E njëjta gjë ndodh edhe në kohën e syfyrit kur ata zgjohen nga gjumi për t’u ngopur me bukë e ujë në mënyrë që dita e nesërme pa ushqim të jetë më e lehtë.

Por çfarë duhet konsumuar në këto dy vakte në mënyrë që agjeruesit të qëndrojnë të shëndetshëm?

Klankosova.tv ka biseduar me nustricisten e njohur, Diola Dosti, e cila tha se rekomandon që gjatë kësaj periudhe të mënjanohet kripa, pasi siç tha ajo, e thith dhe e largon ujin nga organizmi jonë.

Ajo preferon që gjatë iftarit dhe syfyrit të konsumohen supa të përgatitura vetë e sallata jeshile të mbushura me rukola, avokado e vezë.

“Sa i përket ushqimit duhet të kemi shumë kujdes që gjatë kohës së Iftarit dhe syfyrit mos të konsumojmë ushqime që kanë bazë të lartë të kripës. Unë nuk do të isha pro-konsumit të supave të gatshme sepse kanë një përmbajtje shumë të lartë të kripës kështu që do të isha tek supat e bëra në shtëpi, tek një sallatë e madhe jeshile, dy pjata me supë, me panxharin e kuq, me vaj ulliri, të përziera këto, një kokërr vezë të përzier në sallatë, rukola, disa copëz të avokados, arra e fara të ndryshme. Një pjatë e cila është e mbushur me kos e me lloje të ndryshme të farave, fruta nga iftari deri në syfyr, hurma të Arabisë sepse sasinë e nutrieneve që na ka munguar e marrim nëpërmjet konsumit të një hurme të Arabisë. Kripa e thith dhe e largon ujin nga organizmi jonë dhe sigurisht që kjo nuk na duhet gjatë agjërimit”.

E periudha e agjërimit, sipas Dostit, sjell shumë përfitime për trupin. Një ndër to, është funksionimi më i lehtë i sistemit të qarkullimit të gjakut funksionon.

“Agjërimi ndihmon sistemin e qarkullimit të gjakut. Gjaku jonë qarkullon më lehtësisht, qelizat tona funksionojnë më mirë me oksigjen, zemra kursen pompimin e saj dhe në këtë mënyrë mundësohet furnizimi i të gjitha qelizave tone me sasinë e mjaftueshme të oksigjenit që atyre ju duhen dhe gjithmonë kur organizmi jonë është mirë i oksigjenuar është një hap larg sëmundjeve. Është dhuratë shumë e mirë për mëlçinë tonë sepse është laborator i organizmit tonë dhe ka një funksion detox ose pastrues të jashtëzakonshëm, ndihmon aparatin e tretjes. Nëse një person ka 5 ose 6 litra gjak gjatë momentit që në jemi duke ngrënë ushqim, qoftë edhe një mollë, 2 litra gjak shkon edhe fokusohet në pjesën e aparatit të tretjes, dhe ne momentin kur ne qëndrojmë pa ushqim, ai gjak që duhej të ishte në aparatin e tretjes kalon nëpër të gjitha qelizat e tjera dhe në këtë formë mundësohet transporti i oksigjenit nëpër këto qeliza”.

Pos kësaj, dietologja pohon se nga agjërimi përfiton edhe sistemi nervor, pasi siç tha ajo, ka shpresë se rikuperon sëmundjet siç janë Alzheimer, Dementia ose Parkinsoni.

“Disa nga përfitimet e tjera të agjërimit janë e para në sistemin nervor. Krijohen qeliza nervore të reja nisur nga qelizat stem ose origjinore, kjo do të thotë që ka shpresë nga ana e mjekësisë për rikuperimin e sëmundjeve neurodegjenarative, siç janë Alzheimer, Dementia ose Parkinsoni apo edhe në rastet kur kemi humbje memorie dhe fokusi. Pra agjërimi në këtë pjesë ndihmon shumë”.

Qëndrimi i orëve të gjata pa u ushqyer, përmirëson edhe funksionimin e zorrës së trash. Dosti tha se kjo fazë sjell përfitime edhe në reduktimin e qelizave kancerogjene sepse ato duan të hanë vazhdimisht ushqim.

“Zorra e trash pastrohet gjithashtu, pra gjatë gjithë kohës ne jemi duke konsumuar ushqim dhe ato paretet ose muret e brendshme të zorrës së trash janë vende ku ngarkohen e mblidhen mbeturina të papastruara mirë. Gjatë përpunimit të ushqimit, jo i gjithë ushqimi del përjashta dhe gjatë kësaj faze është koha kur aparati i tretjes pastrohet më së miri. Ka përfitime në reduktimin e qelizave kancerogjene sepse qelizat kancerogjene duan të hanë vazhdimisht ushqim dhe në momentin që i lemë pa u dhënë ushqim atyre, kemi kontribuar në reduktimin e numrit të tyre”, tha ajo.

“Agjërimi njihet ndryshe si operacion pa bisturi. Duke qenë se neve gjatë gjithë kohës e ngarkojmë organizmin tonë dhe qelizat tona me ushqime të ndryshme sidomos ato me bazë shtazore, të gjitha ato qeliza kanë nevojë të bëjnë një lloj pushimi dhe ky lloj pushimi përkthehet me rikuperimin e tyre, me rigjenerimin e tyre dhe është pikërisht faza kur ato marrin frymë më lehtë dhe arrijnë në formën më të mirë të mundshme për të manifestuar potencialin maksimal funksional të tyre”.

Nutricistja theksoi për Klankosova.tv, se lëkura, pjesa e thonjve dhe flokët, poashtu përmirësohen duke agjëruar, megjithatë për këtë të fundit tha se rezultatet shihen pas Ramazanit.

“Përfitimet shihen tek lëkura, shihen tek pjesa e thonjve dhe tek pjesa e flokëve të cilat duken sikur janë më të rigjeneruara, dhe kjo në shumicën e rasteve shihet pas periudhës së agjërimit. Është normale që gjatë agjërimit të kemi dhimbje koke dhe të jemi të lodhur sepse energjia bie por në të njëjtën kohë kemi përfitime”.

Dietologja nga Shqipëria foli edhe për peshën e cila mund të fitohet duke agjëruar, si shkak i ushqimeve të pashëndetshme. Kështu, thotë se nuk pajtohet me idenë: ‘hajde të agjërojme për të humbur kilogramë’, pasi sipas saj, kjo nuk ndodh.

“Është një perceptim i gabuar që mendojmë që gjatë agjërimit ne mund të dobësohemi madje shpesh më vjen keq kur e dëgjoj këtë ide ‘hajde të agjërojmë për të humbur kilogramë’. Patjetër që gjatë agjërimit mund të shtosh kilogramë dhe kjo varet nga mënyra se si ushqehesh. Pra në momentin kur ti hyn më idenë të dobësohesh dhe në momentin kur vjen syfyri apo iftari ti shkon edhe konsumon ushqime të pashëndetshme, konsumon supa të gatshme, mishin, qofte, ushqime të rënda do të shtosh kilogramë sepse është periudha që metabolizmi punon më ngadalë dhe në atë kohë trupi është i dizajnuar për të fjetur gjumë dhe ushqimet nuk treten njësoj siç treten në pjesën e parë të ditës. Prandaj duhet të ketë shumë kujdes dhe të zgjidhen me shumë kujdes ushqimet gjatë iftarit dhe syfyrit”, u shpreh Dosti.