Konsumimi i herëpashershëm i një koka-kole apo koka-kole dietale është në rregull, por shkencëtarët kanë lëshuar një paralajmërim tepër të zymtë për ata që pinë pije të gazuara dhe pije të tjera të ëmbla me sheqer çdo ditë, raporton gazeta Mirror, përcjell Gazeta Alo.
Sipas një studimi të ri, pijet me sheqer mund të rrisin rrezikun e vdekjes së të rinjve nga kanceri dhe sëmundjet e zemrës.
Ky është një lajm veçanërisht i keq për gratë, të cilat sipas studimit janë më të ndjeshme ndaj vdekjeve të parakohshme nëse konsumojnë shumë pije me sheqer.
Një zgjidhje mund të jetë largimi i pijeve me shqeqer dhe zëvendësimi i tyre me ëmbëlsues artificialë – por ekspertët thonë se pirja e më shumë se katër të tillave mund të rezultojë po ashtu me të njëjtin rrezik.
Si pjesë e studimit, hulumtuesit morën në pyetje 80.647 gra dhe 37.716 burra për disa vjet me radhë.
Pjesëmarrësit iu përgjigjën pyetjeve rreth faktorëve të tyre të jetesës. Rezultatet treguan se sa më ahumë pije me sheqer që pinte një person – duke përfshirë pije jo të gazuara, pije frutash dhe pije energjike – aq më i lartë ishte rreziku i vdekjes së hershme pa ndonjë shkak.
Ata që pinin një deri në katër pije me sheqer në muaj, ishin të lidhur me një rrezik në rritje prej një për qind, ndërsa rreziku u rrit në 14 për qind për ata që konsumonin një ose dy në ditë.
Për të gjithë ata që konsumonin më shumë se dy pije me sheqer si Koka Kola në ditë, rreziku i vdekjes së parakohshme rritej me 21 për qind.
Shkencëtarët gjithashtu zbuluan se ata që pinin më shumë se dy pije me sheqer në ditë ishin veçanërisht në rrezik të prekeshin nga sëmundjet kardiovaskulare.
Walter Willett, profesor i epidemiologjisë dhe i të ushqyerit, tha: “Këto gjetje janë në përputhje me efektet e njohura negative të konsumit të lartë të sheqerit në faktorët e rrezikut metabolik dhe dëshmi të forta se pirja e pijeve me sheqer rrit rrezikun e diabetit të tipit 2, faktor tejtër për vdekjen e parakohshme.
“Rezultatet gjithashtu ofrojnë mbështetje të mëtejshme për politikat për të kufizuar tregtimin e pijeve me sheqer për fëmijët dhe adoleshentët dhe për zbatimin e taksave për sodën, sepse çmimi aktual i pijeve me sheqer nuk përfshin kostot e larta të trajtimit të pasojave”.