Anëtarët e Komitetit për Gripin Sezonal kanë thënë se në Kosovë nuk ka nevojë për panik dhe se çdo vit kalenderik ka grip, por jo pandemi sikurse në vitin 2009.
Në një konferencë për media, ata kanë kërkuar që të mos përdoret termi ‘grip i derrave’ për arsye të konfuzionit dhe panikut në publik. Drejtori i Institutit Kombëtar, Naser Ramadani, tha se gripi në territorin e Kosovës është në nivel mesatar.
“Ne kemi raportuar mbi 29 mijë raste të dyshimta, pasi nuk dihet sa janë me grip. Mbi 4.000 janë infektive, 43 raste janë raportuar si gjendje më e rëndë e gripit sezonal, ndërsa dhjetë me vdekje. E kemi shpall si gjendje epidemike për shkak të rasteve të vdekjeve. Këto raste janë mbi 65-vjeç. Katër raste janë A1H1 dhe gjashtë raste të grupit A”, ka thënë ai.
Ramadani ka rekomanduar që MASHT të raportojë për mungesat e nxënësve në shkolla, në mënyrë që të përcillet më lehtë gjendja.
Ndërsa, Hamdi Ramadani, drejtor i Infektologjisë, ka thënë se rreth 500 raste me grip sezonal janë regjistruar që nga dhjetori i vitit të kaluar, shkruan kp.
“Ka pasur fluks të madh të pacientëve. Kjo sëmundje është klasike sezonale. I kemi trajtuar rastet në mënyrën më të mirë. 250 raste kanë qenë më të ndërlikuara, por këta kanë qenë të sëmurë kronikë më herët. I kemi pasur gjashtë raste, ku edhe kanë përfunduar me fatalitet. Rasti i fundit që ka vdekur një person të premten, ishte në gjendje të rëndë. Ky virus është serioz dhe nëse ju gjen të pa vaksinuar është shumë i rrezikshëm”, tërhoqi vërejtjen ai.
Basri Sejdiu, drejtor i QKUK-së, tha se nuk ka nevojë për panik dhe se gjendja nuk është emergjente. Ndryshe, simptomat e para të gripit sezonal janë temperatura, rrjedhjet nga hunda dhe më të atakuarit janë të sëmurët kronikë, ndërkohë që rekomandohet që të shmangen sa më shumë vendet e mbyllura.