Studiuesit e Universitetit të Oxfordit kanë zbuluar se pacientët, të cilët e kanë përdorur ilaçin budesonid, kur u janë shfaqur simptomat e para të COVID-19, kanë shpërfaqur më pak gjasa që të kishin nevojë për kujdes emergjent apo hospitalizim shkaku i sëmundjes
Një sterioid që përdoret në aparatet për inhalim te të sëmurët nga astma ka aftësi që t’i parandalojë simptomat e rëndë të COVID-19. Ilaçi mund ta trajtojë sëmundjen në fillim dhe të ndihmojë në uljen e presionit nëpër spitale.
Studiuesit e Universitetit të Oxfordit kanë zbuluar se pacientët që e kanë përdorur ilaçin budesonid, kur u janë shfaqur simptomat e para të COVID-19, kanë shpërfaqur më pak gjasa që të kishin nevojë për kujdes emergjent apo hospitalizim, madje disa edhe janë shëruar më shpejt. Gjithashtu është ulur mundësia për simptoma dhe temperaturë të vazhdueshme.
Në testim janë përfshirë 146 të rritur brenda shtatë ditësh të simptomave të lehta të COVID-19. Gjysma e pjesëmarrësve morën për inhalim budesonidin dy herë në ditë, kurse pjesa tjetër janë trajtuar si zakonisht sipas moshës, gjinisë dhe sëmundjeve ekzistuese.
Në grupin që përdori budesonidin, vetëm një person ka pasur nevojë për kujdes mjekësor emergjent, krahasuar me 10 nga grupi që e kanë marrë kujdesin standard për COVID-19.
Një tjetër studim, i cili ende nuk është rishikuar, ka zbuluar se budesonidi i inhaluar u ka ndihmuar njerëzve që ishin në rrezik të lartë nga COVID-19.
“Ka besueshmëri të mirë biologjike, për çfarë kortikosteroidët mund të përdoren”, ka thënë për DW-në studiuesja nga Kolegji Mbretëror në Londër, Chloe Bloom.
Kortikosteroidët, sikurse deksametasoni, tashmë po përdoren me efektivitet te pacientët e hospitalizuar, të cilët janë të sëmurë rëndë me COVID-19. Bloomi ka thënë se studiuesit mendojnë se ka gjasa ta ulë inflamacinin e lidhur me COVID-19 e rëndë. Edhe budesonidi ka mundësi të funksionojë në të njëjtën mënyrë, por mund të jetë më i lokalizuar.
Studimet kanë treguar se përdorimi i steroidëve të inhaluar te njerëzit me astmë dhe sëmundje kronike pulmonare e ka ulur receptorin që e lejon depërtimin e Sars-CoV-2 në mushkëri, ka thënë Bloom dhe sipas analizave laboratorike steroidët e inhaluar mund ta parandalojnë replikimin e virusit.
Ulja e presionit në spitale
Image
Shkencëtarët kanë thënë se studimi kishte nisur pas disa raporteve të spitaleve, ku tregohej se pacientët me sëmundje kronike respiratore ishin dukshëm të nënpërfaqësuar. Ata dolën me hipoteza se përdorimi i gjithanshëm në mesin e pacientëve me glukokortikoide, një tip i kortikosteroidit, ishte prapa këtij trendi.
Studimi ka hetuar nëse budesonidi ka potencial për ta ulur nevojën e pacientëve me COVID-19 për t’u shtruar në emergjencë, më pas për ta ulur presionin ndaj spitaleve.
“Është në dispozicion çdokund dhe kushton pak, por është relativisht i sigurt dhe mund t’u jepet pacientëve në ditët e para të infektimit me COVID-19”, ka thënë Mona Bafadhel, një nga autoret e studimit dhe profesoreshë e asocuar në Universitetin e Oxfordit.
Për dallim prej studimeve të tjera që përqendroheshin te trajtimi i pacientëve me COVID-19, që kishin simptoma të rënda, ky studim ka treguar se ka mundësi për ndërhyrje më të hershme. Ndonëse studimi është dashur të ndalojë, për shkak të izolimit të dytë në Londër dhe disa faktorëve të tjerë, një shqyrtim i pavarur statistikor ka nxjerrë përfundimin se rezultatet e studimit nuk është se do të ndryshojnë në vazhdim.
Si ndikojnë kortikosteroidët?
Kortikosteroidët krijohen natyrshëm në trup, por versionet sintetike përdoren si ilaç kundër inflamacioneve për të trajtuar disa sëmundje inflamatore. I listuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si ilaç themelor, zakonisht përdoret në formën e inhalimit nga njerëzit që vuajnë nga astma dhe sëmundjet e tjera respiratore. E ul inflamacionin dhe konsiderohet si thelbësor për ta kontrolluar gjendjen shëndetësore.
Kortikosteroidët përfaqësojnë një nga dy llojet kryesore në trajtimin e astmës. Ata janë krijuar në atë mënyrë që t’i parandalojnë sulmet e astmës, duke e ulur nivelin themelor të inflamacionit.
Lloji i dytë i trajtimit, bronkodilatorët, janë krijuar për t’i çlodhur muskujt po qe se ndodh ndonjë sulm.