Kivi, fiqtë, kërpudhat, tartufi dhe shumë të tjera janë frutat dhe perimet të cilat duhet të konsumohen gjatë muajit shtator, transmeton Gazeta Metro.
Nuk është vetëm rrushi fruti i këtij sezoni, sado që ai është më i dukshmi në treg, për shkak të sasisë së prodhimit vendas. Edhe frutat ekzotike, që në fakt prodhohen edhe në vende të tjera të afërta, kanë sezonin e tyre. Kivi, fiqtë e Indisë, kërpudhat, tartufi e shumë të tjera, janë më të mirat e këtij muaji.
Nëse jeni lodhur me shijet e verës, tani, qiellza do të ndryshojë! Shtatori është një nga muajt më të pasur në tryezë, nis që nga fiqtë e dytë (siç njihen ndryshe) e përfundon me frutat e pyllit që në fakt janë vazhdim i prodhimeve të gushtit.
Mollët, hurmat dhe dardhat e varieteteve të ndryshme, e kanë ‘shpërthimin’ pikërisht në shtator; ky është muaji më i mirë për t’i shijuar!
Ndërsa ata që i shijojnë dhe i prisnin pa durim, tani është rishfaqur lulelakra dhe finoku i sezonit. Patatet, kungujt e verdhë, të mëdhenj, brokolit dhe kërpudhat.