Klinika e Otorinolaringologjisë (ORL) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është duke punuar me aparatura të cilat është dashur të dalin jashtë përdorimit para 29 vjetëve.
Sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), aparaturat të cilat janë më të vjetra se shtatë vjet duhet të dalin jashtë përdorimit. Megjithatë edhe pavarësisht kësaj në Klinikën e ORL-së punohet me aparatura të cilat funksionojnë qe 36 vjet.
Drejtori i kësaj klinike, Hajdin Thaçi, ka thënë për “Zërin” se edhe pavarësisht asaj që në këtë klinikë realizohen deri në 25 operacione në ditë aparaturat janë të vjetra.
Disa nga pajisjet që tashmë sipas standardeve të OBSH-së kanë dalë jashtë përdorimit në këtë klinikë janë: Audiogrami (audiogrami është regjistrimi i aftësisë dëgjimore të veshit), timpanogrami (është test për matje të presionit në vesh) dhe bronkoskopia (metodë me anë të së cilës mund të hetohen bronket)