Fjalë Kyçe

Kongresit amerikan i dorëzohet plani për vaksinë kundër koronavirusit

Kongresit amerikan i dorëzohet plani për vaksinë kundër koronavirusit

Qeveria amerikane ka publikuar më 16 shtator një plan për t’i bërë vaksinat kundër koronavirusit të qasshme dhe falas për të gjithë amerikanët, në momentin që njëra prej tyre rezulton e sigurt dhe efektive.

Robert Redfield, udhëheqës i Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, dhe zyrtarë tjerë federalë kanë paraqitur fushatën e tyre për vaksinim bashkë me një raport në Kongres, duke thënë se ky proces do të fillojë gradualisht në muajin janar, apo në fund të këtij viti për secilin amerikan që dëshiron ta marrë atë.

Megjithatë, programi i vaksinimit nuk është aq optimist sa ka parashikuar presidenti amerikan, Donald Tump.

Trump ka thënë se vaksina mund të jetë tre apo katër javë larg miratimit, që nënkuptonte se njerëzit do të mund ta merrnin vaksinën para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Ne jemi shumë afër posedimit të vaksinës”, ka thënë presidenti para disa votuesve të pavendosur ende për zgjedhjet presidenciale.

Mirëpo Redfield i ka thënë Kongresit se do të duhen gjashtë deri në nëntë muaj, pasi vaksina të miratohet, që rregullatorët ta shpërndajnë atë brenda territorit amerikan.

Trump, duke folur në Shtëpinë e Bardhë, e ka quajtur deklaratën e Redfieldit, si “informatë të pasaktë”, duke shtuar se “besoj se ai ka qenë konfuz kur e ka thënë atë”.

Redfield ka thënë se vaksina e miratuar, fillimisht do të ketë vetëm pak doza të qasshme.

Ajo fillimisht do të shpërndahet për punëtorët shëndetësorë, më pas punëtorë tjerë që përballen me rrezik të infektimit si dhe për grupe të ndjeshme.

Faza e dytë dhe ajo e tretë do të zgjerojnë vaksinimin në gjithë popullatën.

Përgjatë dëshmisë së tij para Kongresit, Redfield ka përmendur edhe efektin e maskave në parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Marrë parasysh që asnjë vaksinë nuk është 100 për qind mbrojtëse, Redfield, teksa ka mbajtur një maskë në dorë ka thënë: “Unë mund të shkoj aq larg sa të them se kjo maskë më mbron më shumë kundër koronavirusit, sesa kur të marr vaksinën”.

Edhe kjo deklaratë është kundërshtuar nga Trump, i cili nuk është pajtuar se vendosja e maskës mbron njerëzit nga koronavirusi më shumë sesa vaksina.

Maska “nuk është më efektive sesa vaksina, dhe unë e kam telefonuar atë rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Trump.

Trump, që ka emëruar Redfieldin si shef të Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve më 2018, ka thënë se ka ende besim në të.

Ndërkohë kandidati demokrat për president, Joe Biden, teksa ka folur në Uilmingon, po ashtu ka reaguar ndaj deklaratave të Trumpit, duke e akuzuar presidentin për politizim të procesit të zhvillimit të vaksinës.

Trump ka akuzuar Bidenin dhe fushatën e tij për hedhje të dyshimeve për efikasitetin e vaksinës.

Biden, në anën tjetër, ka kundërshtuar akuzat e Trumpit dhe i ka bërë thirrje atij konsultohet shkencëtarët dhe të mos nxisë procesin e prodhimit të vaksinës.

“Më lejoni të jem i qartë: Unë i besoj vaksinës. Unë iu besoj shkencëtarëve. Mirëpo nuk i besoj Donald Trumpit dhe në këtë pikë nuk i beson as populli amerikan”, ka thënë mes tjerash Biden.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 29 milionë persona në gjithë botën janë prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Prej tyre, mbi 900,000 kanë vdekur dhe mbi 20 milionë pacientë tjerë janë shëruar