Fjalë Kyçe

Koronavirusi mund të zhdukë shumë përparime në mjekësi, paralajmëron OBSH-ja

Koronavirusi mund të zhdukë shumë përparime në mjekësi, paralajmëron OBSH-ja

Më shumë se 90% të shteteve kanë përjetuar përkeqësim të shërbimeve elementare shëndetësore për shkak të pandemisë dhe shumë përparime sa i përket shërbimeve të përkujdesjes shëndetësore, në të cilat është punuar me dekada që të përmirësohen, tani mund të zhduken për një kohë të shkurtë, ka treguar një anketë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në raport thuhet se ndikimi i pandemisë Covid-19 në shërbimet elementare mjekësore është shqetësuese. Arritjet e mëdha sa i përket shëndetësisë gjatë dy dekadave të fundit mund të zhduken në një periudhë shumë të shkurtër.

Anketa përfshinë më shumë se 100 shtete dhe situatën e tyre nga maji dhe qershori. Në mesin e shërbimeve më të prekura ishin imunizimet rutine (70%), planifikimi i familjes (68%), dhe diagnostikimi i kancerit dhe trajtimi (55%), ndërsa shërbimet emergjente ishin prekur në pothuajse një të katërtën e shteteve të anketuara.

Rajoni i Mesdheut lindor, që përfshinë Afganistanin, Sirinë dhe Jemenin, ishte më i prekuri, duke u pasuar prej rajonet afrikane dhe atyre të Azisë juglindore. Rajoni i kontinentit të Amerikës nuk ka qenë pjesë e anketës, transmeton KOHA.

Që nga identifikimi i rasteve të para me Covid-19 në dhjetorin e kaluar, virusi ka vrarë afro 850,000 persona, ka treguar sondazhi i fundit nga Reuters.

Hulumtuesit mendojnë se edhe vdekjet që nuk kanë lidhje me Covid-19 janë rritur në disa vende pjesërisht për shkak përkeqësimit të shërbimeve mjekësorë, edhe pse kjo gjë është më vështirë të kalkulohet.

Raporti i OBSH-së tha se “është e thjeshtë të nënkuptohet se edhe një përkeqësim i vogël në shërbimet thelbësore shëndetësore mund të çojë deri tek rritja e vdekshmërisë nga rastet tjera pos Covid-19 në afat të shkurtër deri në të mesëm por edhe në afat të gjatë”, por se duhej hulumtim i mëtejshëm.

Gjithashtu OBSH me këtë raport paralajmëroi se këto përkeqësime mund të ndihen edhe pasi që të përfundojë pandemia. “Ndikimi ka mundësi të ndihet edhe pas pandemisë, ngase duke u përpjekur që t’ia zjenë hapin shërbimeve bazike të lëna anash, shtetet dhe shëndetësia do të stërngarkohen”.