Fjalë Kyçe

Kosovarët nuk hezitojnë të kërkojnë ndihmën e psikologut

Kosovarët nuk hezitojnë të kërkojnë ndihmën e psikologut

Ndihma psikologjike po del të jetë mjaft e nevojshme në kohën e pandemisë, ku për javë të tëra qytetarët kanë qëndruar të mbyllur nëpër shtëpi.

Dardana Fetahu dhe Bind Skeja bashkë me mbi 50 të tjerë vullnetarë qëndrojnë prapa linjave telefonike në shërbim të qytetarëve të shqetësuar gjatë kohës së pandemisë, për t’i ndihmuar kurdo që ata kanë nevojë të flasin në lidhje me shqetësimet e tyre, për tu ardhur në ndihmë me këshilla e deri në një bashkëbisedim më të gjatë për ata të cilët janë në një gjendje më të rëndë.

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, ka hapur Linjën për Ndihmë Psikologjike gjatë kohës së pandemisë, ku qytetarët kanë mundësi të flasin me psikologun për gjithçka që i mundon.

Ndërkaq, Linja e Jetës në anën tjetër megjithëse punon me sistem të njëjtë përmes telefonatave e mesazheve, është linjë e cila ka qenë e hapur edhe më herët si linjë emergjente për raste më të rënda, emergjente, në momente kur personat janë duke menduar për të bërë vetëvrasje.

Dardana Fetahu e diplomuar në Psikologji është drejtoreshë në Qendrën për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore. Ajo aktualisht po kontribuon vullnetarisht edhe si koordinatore dhe këshilluese psikologjike në linjën për ndihmë psikologjike, e cila është vënë në funksion për t’i ndihmuar qytetarët në këtë kohë pandemie.

Kjo linjë është e hapur nga 22 prilli, çdo ditë të javës nga ora 11:00 e deri në orën 22:00 në gjuhën shqipe, kurse japin këshilla edhe në gjuhën turke, të dielave nga ora 11:00 deri në ora 19:00, ku deri më tani kanë pranuar deri në 400 telefonata, të cilat janë shtuar në dy ditët e fundit.

“Ne jemi rreth 40 veta dhe punojmë çdo ditë të javës, nga ora 11 në mëngjes deri në 22 në mbrëmje. Jemi me ndërrime. Volumi i thirrjeve ka nis me u bo shumë më i madh pas mesazheve që qytetarët i kanë pranua prej Ministrisë së Shëndetësisë. Pas atyre mesazheve në mënyrë eksponenciale është rrit numri i thirrjeve. Prej 20 në ditë për shembull kanë mbërri në 100, sa që nuk po kemi kohë as me i regjistrua”, tha Fetahu për Telegrafin.

Përveç ndihmës psikologjike, në numrin e telefonit, të cilin Ministria e Shëndetësisë e ka vënë në dispozicion të qytetarëve, vijnë kohë pas kohe edhe kërkesa të shumta, të cilat psikologët i drejtojnë në institucionet përkatëse.

“Kemi telefonata prej kategorive të ndryshme, të rinj e të vjetër që thirrin me i nda shqetësimet, ka ndodh për me i referu tek ndonjë psikiatër, apo tek Qendra për Punë Sociale. Ka që thirrin edhe tregojnë që nuk kanë me hëngër bukë ose diçka ngjashëm. Ne nuk mundemi në atë aspekt me i ndihmu por vetëm me i referu. Ka njerëz që kanë probleme të ndryshme me barëra që kanë nevojë me i marrë, se kanë ndonjë çrregullim ose ngjashëm edhe i referojmë. Por, shumica e thirrjeve nuk janë për referim, shumica janë për me diskutua për shqetësimet që i kanë, se qysh po ndihen gjatë pandemisë edhe problemet që u kanë ardh si pasojë e kësaj, por edhe jo domosdoshmërish vetëm prej pandemisë. Thirrjet më së shumti bëhet nga 20 vjeçarët dhe 40 vjeçarëve”, tha Fetahu për Telegrafin.

Duke qenë se në dy ditët e fundit është rritur dukshëm numri i telefonatave në këtë linjë, ka mundësi që edhe numri i vullnetarëve të rritet ditëve në vijim, ose të zgjatët koha e punës, ndërsa tashmë është në dispozicion edhe ndihma përmes mesazheve.

Promovimi i vazhdueshëm është ajo për të cilat kanë nevojë më së shumti këto linja. Është me shumë rëndësi që njerëzit të dinë vendin adekuat se ku mund të drejtohen kur kanë ndonjë shqetësim, e sidomos ata që mund të jenë në gjendje të rëndë psikologjike.

Për këtë kategori personash, është një linjë tjetër e quajtur Linja e Jetës, e cila është duke funksionuar edhe gjatë kohës së pandemisë me ndihmën e Komunës së Prishtinës, dhe ka qenë aktive tash e një kohë të gjatë.

Bind Skeja nga Qendra për Informim dhe Përmirësim Social, thotë se Linja e Jetës, ku ai bashkë me vullnetarët e tjerë punojnë, është linjë emergjente, për raste më të rënda, për persona të cilët janë duke menduar për vetëvrasje.

“Jemi 4 mbikëqyrës dhe 19 vullnetarë për momentin, disa prej të cilëve kanë pak probleme teknike, por po shohim shpejt me u stabilizu brenda pak ditëve. Linja e Jetës, punën e bojna kur personi që është tu na thirr në atë moment është duke mendu me ba vetëvrasje. Na jemi për raste emergjente, për raste ma të rënda. Mirëpo, natyrisht mundemi me ju ndihmu edhe për sene më të lehta, ajo nuk diskutohet”, tha Skeja për Telegrafin.

Një linje të tillë i duhet një promovim më i madh sipas tij, për shkak se vërehet qartë se në momentin që dikush del publikisht dhe flet për Linjën e Jetës, ata e vërejnë se po rritet numri i telefonatave.

“Këto gjana kërkojnë promovim të vazhdueshëm, e na buxhetin për këtë promovim e Linjës nuk e kemi shumë të madh. Tash e kemi marrë një fond për me shti në marketing të linjës por merr pak kohë. Ditën kur ka dal zotëri Ahmeti në Facebook e ka përmend Linjën, atë ditë ka pas shumë thirrje, ditëve tjera ka ra. Prapë kur po dalim në televizion ose në lajme, prapë po kemi thirrje më shumë. Nuk është puna e pandemisë ose e situatës, por më shumë puna sa po ka promovim, këtë kemi mundur me vërejt. Nuk po mundem me thanë që në këtë kohë u rrit numri i thirrjeve, sepse neve promovim na duhet krejt kohën, nëse ish kanë standard kisha mujtë me dhanë shifra”, tha Skeja.

Skeja po ashtu bëri të ditur se kjo linjë përveç telefonatave, ofron edhe mundësinë e komunikimit përmes mesazheve.

Dallimi mes Linjës së Ndihmës Psikologjike dhe Linjës së Jetës është se Linja e Jetës nuk jep këshilla. Skeja thotë se ata nuk janë domosdo psikolog dhe se bëjnë vetëm biseda.

“Te na nuk guxojnë me dhanë këshilla asnjë prej vullnetarëve, se ne jemi vetëm linjë emergjente, na ma shumë zhvillojnë bisedë, provojmë me i ndihmu me i dhanë përkrahje, me drejtu në ndihma afatgjatë, pak me ul nivelin e adrenalinës me të cilën vjen kur thirr, me i shiku pikat e forta që i ka në jetë. Kurse, në Linjë të Ndihmës, japin edhe këshilla, te na nuk është e domosdoshme me qenë psikolog, ky trajnimi është i bërë asisoj që mundesh me u kyç, pa qenë psikolog”, tha Skeja.

Skeja tha se edhe mënyra e raportimit të vetëvrasjeve ka shumë rëndësi, duke iu referuar rastin të fundit që ndodhi në Qendrën e Studentëve, ku u shpreh se mënyra se si raportohet për një vetëvrasje mund të ndikoj tek qytetarët.