Fjalë Kyçe

Lajm i mirë për qytetarët, barnat do të blihen me çmim të njëjtë në gjithë vendin

Lajm i mirë për qytetarët, barnat do të blihen me çmim të njëjtë në gjithë vendin

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka thënë se shumë shpejtë qytetarët do të mund t’i blejnë barnat me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovës, e jo siç ka ndodhur deri më tani ku barnat e njëjta janë shitur me çmime të ndryshme, shkruan Gazeta Alo.

Ismaili përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se kjo po bëhet për t’i mbrojtur qytetarët nga shpenzimet.

Sipas tij tashmë iniciativa për finalizimin e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave ka filluar.

Postimi i tij i plotë:

Që nga fillimi i mandatit kam marrë shumë ankesa të qytetarëve se çmimet e barnave, të cilat ata po i blejnë, dallojnë nga barnatorja në barnatore, duke i vënë ata para detyrimit që të bëjnë shpenzime të larta. Por, edhe kësaj padrejtësie që ka dëmtuar xhepin e qytetarëve për rreth dy dekada, po i japim fund. Përmes iniciativës për finalizimin e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave, qytetarët tanë, kudo që jetojnë, në fshat ose në qytet, do të mundë ta blejnë ilaçin e tyre me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën. Gjithë këtë po e bëjmë që t’i mbrojmë qytetarët tanë nga shpenzimet dhe t’i ndihmojmë farmacistët që të orientohen vetëm në ofrimin e shërbimit profesional farmaceutik. #BashkëeNdreqim/Gazeta Alo/