Fjalë Kyçe

Abazi për deklaratat e Abdixhikut: Arroganca e tij nuk paraqet as pikëpamjet e votuesve të LDK-së

Abazi për deklaratat e Abdixhikut: Arroganca e tij nuk paraqet as pikëpamjet e votuesve të LDK-së

Një tjetër mospajtim mes eksponentëve të dy partive që po tentojnë tash e sa herë të finalizojnë marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm VV-LDK, ka nisur nga larg.

Haki Abazi kandidat për deputet nga Vetëvendosja, duke aluduar tek ai i LDK-së Lumir Abdixhiku, e ka quajtur gjuhë arrogante atë të këtij të fundit, kur dje në Rubikon të KTV-së tha se “Vetëvendosja e ka shkelur marrëveshjen paraprake me LDK-në”.

“Duhet trajtuar me respekt e me kujdes përpjekja për të përcaktuar një standard të ri të arritjes se marrëveshjeve për bashkëqeverisje, sidomos kur kjo përpjekje dhe gatishmëri vjen nga LVV si fituese e parë e votës se pavarur, të pakushtëzuar, të pafavorizuar, votës nga diaspora që nuk është e varur direkt nga benificionet e mundshme politike. Dmth vota për LVV është votë e idealit për shtetin dhe vizionin e jetës me dinjitet në Kosovë. Pesha e votës është e njëjtë por pastërtia e marrëdhënies ndërmjet votës dhe subjektit politik është po aq e rëndësishme”, shkruan Abazi.

Abazi, deklaratat e Abdixhiku i quajti edhe arrogante dhe thotë se ato nuk paraqesin as pikëpamjet e votuesve të partisë prej së cilës vjen ai.

“Deklarimi me gjuhë arrogante dhe mungesa e modestisë është karakteristikë e atyre që e kanë dëmtuar rëndë interesin e qytetarit dhe të vendit. Në atë proces LVV nuk ka participuar asnjëherë dhe në asnjë moment. Arroganca e zyrtarit të LDK në media nuk paraqet as pikëpamjet e votuesit të LDK që ka votuar për ndryshimin e madh që duhet të ndodhë, rrjedhimisht kujdes nga pozicionet që zbehin besimin, dërgojnë ujë ne mullirin e PRONTO dhe ju rikujtojnë elektoratit formulat të cilat pas shenjë së barazimit kanë interesin individual dhe jo atë shtetëror. Asnjë gjë nuk është me rëndësishme në këtë fazë se sa përfundimi i procesit të determinuar nga vota qytetare dhe rezultati i pastërt zgjedhor e që është formimi i qeverisë dhe konsolidimi i institucioneve që të kryejnë punët e mëdha që po na presin”, shkruan Abazi, duke shtuar se “Qeveria Kurti nuk ka alternativë”.

Dje në Rubikon, Abdixhiku tha se Vetëvendosja ka shkelur njërën nga marrëveshjet e arritura në ditën e parë të diskutimeve për arritjen e koalicionit qeverisës.

Sipas tij, dy partitë ishin marrë vesh që të mos bëhet asgjë publike derisa të arrihet marrëveshja finale. Abdixhiku ka thënë se kjo është shkelur nga Vetëvendosje duke nxjerrë diskutimet nga tavolina e liderëve në publik.