Fjalë Kyçe

Kuvendi me shumë seanca të jashtëzakonshme dhe pa asnjë efekt

Kuvendi me shumë seanca të jashtëzakonshme dhe pa asnjë efekt

Kuvendi i Kosovës për pesë muajt e parë të këtij viti ka mbajtur njëmbëdhjetë seanca plenare dhe dhjetë seanca të jashtëzakonshme.

Mbajtja e kaq shumë seancave të jashtëzakonshme po konsiderohet si pengesë për punën e rregullt të Kuvendit, por që partitë opozitare thonë se është mënyra e vetme për të adresuar çështje të ndryshme.

Partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje po përdorin seancat e jashtëzakonshme për të dërguar përpara agjendat e tyre, ndërkohë që nga shoqëria civile vlerëson se këto seanca po e pengojnë punën e rregullt të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, thotë për KosovaPress, se përmes këtyre seancave po shtyjnë përpara agjendën e tyre dhe çështjet që i konsiderojnë të rëndësishme.

Ajo potencon se këto seanca të jashtëzakonshme po vijnë për shkak të skandaleve të Qeverisë dhe si opozitë nuk mund të qëndrojnë të heshtur përballë tyre.

Një numër të seancave të jashtëzakonshme janë thirrur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputetja e kësaj partie Vjosa Osmani, thotë se në shumë raste kanë qenë të detyruar të thërrasin seanca të jashtëzakonshme për shkak të mos mbajtjes së seancave plenare.

Deputetja nga Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj, se për partitë opozitare është mekanizëm thirrja e seancave të jashtëzakonshme për çështje të ndryshme.

Ndërkaq, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, potencon se mbajtja e një numri kaq të madh të seancave të jashtëzakonshme e pengon punën e rregullt të Kuvendit.

Gjatë këtyre muajve Kuvendi ka mbajtur edhe tri seanca solemne, një për 11 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një për shënimin e 21 vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe një për përkujtimin e 20 vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës.