Fjalë Kyçe

“The Guardian”: Si ia hoqi Milosheviqi autonominë Kosovës

“The Guardian”: Si ia hoqi Milosheviqi autonominë Kosovës

Gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, ia ka kushtuar një artikull një zhvillimi historik që ndikoi në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë. Më saktësisht, bëhet fjalë për heqjen e autonomisë së Kosovës nga ish-udhëheqësi famëkeq i Serbisë, Slobodan Milosheviq, i cili kishte për qëllim që ta krijonte të ashtuquajturën “Serbi e Madhe”.
Në mars të vitit 1989, presidenti serb, Slobodan Milosheviq, e solli një kushtetutë të re dhe në këtë mënyrë e filloi fushatën e tij nacionaliste për ta krijuar “Serbinë e Madhe”.
Si pjesë e Federatës së Jugosllavisë, provincës së Kosovës i ishte dhënë autonomi e plotë në vitin 1974, duke pasur të drejta pothuajse të njëjta në krahasim me gjashtë republikat tjera të Jugosllavisë. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, presidenti serb, Slobodan Milosevic, i propozoi disa amandamente për kushtetutën e Serbisë, me të cilat Kosovës iu morën shumica e të drejtave autonome. Ky veprim nxiti protesta të dhunshme dhe më 3 mars 1989 u shpall gjendja emergjente. Në këtë situatë, Beografi e vendosi pushtetin e drejtpërdrejtë mbi Kosovën.
Më 23 mars 1989, Kuvendi i Kosovës përmes votimit i pranoi amandamentet e propozuara, ndërsa pesë ditë më vonë Kuvendi i Serbisë i miratoi ndryshimet kushtetuese që Kosovës ia hoqën autonominë e fituar në vitin 1974. Milosheviqi e nxiti edhe më tepër nacionalizmin serb, i cili e solli shpërbërjen e Jugosllavisë dhe fillimin e luftërave në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Shkrim nga arkiva:
Shkon në 21 numri i të vdekurve në Kosovë
21 mars 1989
Ian Traynor dhe Barney Petrovic
Numri i vdekjeve në provincën jugore të Jugosllavisë, në Kosovë, ka shkuar në 21 gjatë natës së mbrëmshme përderisa përleshjet e mëdha mes shqiptarëve dhe forcave jugosllave të sigurisë kanë vazhduar për të gjashtën ditë me radhë.
Udhëheqësia jugosllave njoftoi se në këtë provincë janë dërguar forca shtesë për ta luftuar atë që po përshkruhet si rritje e fanatizmit nacionalist në mesin e popullsisë shqiptare.
Ky numër i vdekjeve, i cili pritet të rritet dhe që tashmë e ka kaluar dyfishin e vdekjeve gjatë kryengritjeve të vitit 1981, shënon njërën nga krizat më të rënda etnike të Jugosllavisë.
Në anën tjetër, pjesa tjetër e Serbisë po e feston marrjen e kontrollit të provincës me festime në rrugë.
Ministria e Brendshme e Jugosllavisë ka thënë se dhuna është shkaktuar nga separatistët dhe nacionalistët e armatosur. Në mesin e 21 personave të vrarë janë 19 protestues dhe dy policë.
Në këto protesta janë lënduar 49 protestues dhe pesë policë, ndërsa përdorimi i armëve të zjarrit ka dalë nga kontrolli, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express./Përktheu: Nasuf Abdyli/