Fjalë Kyçe

Letra e Biden drejtuar Osmanit vlerësohet pozitivisht nga ekspertët

Letra e Biden drejtuar Osmanit vlerësohet pozitivisht nga ekspertët

Mesazhet e presidentit të ShBA-së, Joe Biden në letrën dërguar presidentes, Vjosa Osmani po vlerësohen pozitive për vendit. Marrëdhënia e ngushtë ndërmjet dy vendeve, kërkesa për njohje reciproke me Serbisë dhe ndihma për sigurimin e vaksinave po konsiderohen si tri pikat kyçe të kësaj letre.

Ndërkohë, përmendja e termit “kompromis” edhe nga administrata Biden po shihet në mëdyshje nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, por po kërkohet që ato mos të bëhen duke cenuar rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit.

Visar Xhambazi nga Demokracia për Zhvillim “D4D”, për KosovaPress aspektet pozitive për Kosovën në letrën e Biden dërguar Osmanit. Derisa lidhur me kompromiset e mundshme në kuadër të dialogut Kosovës dhe Serbisë, ai thotë se kompromiset mund të ndodhin, por vetëm duke mos e dëmtuar karakterin unitar të Kosovës.

“Kjo letër nga presidentit Biden dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani mund të përmblidhet në tre pika. Në pikën e parë, konfirmohet marrëdhënia e ngushtë dhe miqësore ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së, duke u përmendur edhe shërbimi i djalit të ndjerë të presidentit Biden që e ka bërë në Kosovë. Së dyti bëhet thirrje për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mendoj që kjo është pika kryesore sepse i dërgohet një sinjal i qartë Beogradit sepse marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke mes dy palëve”, theksoi Xhambazi.

Ai tha se “Pika e tretë ka të bëjë me pandeminë Covid-19, ku administrata Biden potencon se Kosova është në radarin e tij sa i përket ndihmave për vaksina në muajt në vijim”,

Sipas Xhabazit, kompromiset në çfarëdo negociate duhet të ketë hapësirë. “Mirëpo deri më tani këto kompromise sulmojnë vet integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Për këtë mendoj se nëse ka hapësirë për kompromise që nuk e dëmtojnë karakterin unitar të Kosovës, i cili mbrohet edhe me Kushtetutën e vendit, ka hapësirë që të bëhet një manovër e tillë”, thotë ai.

Thirrjen e presidentit Biden për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e sheh si pozitive edhe Violeta Haxholli nga KDI.

“Është pozitive fakti që zotëri Biden vazhdimisht në letrat e tij po e përmend njohjen e ndërsjellë, që është qëllimi kryesor i Kosovës në këtë proces të dialogut. Për dallim nga BE i cili nuk mund të thotë njohje për shkak të pesë vendeve që nuk e njohin Kosovën, por e përmend termin normalizim i plotë i marrëdhënieve. Andaj është pozitive fakti që përmendet njohja ndërsjellët si fakte i ndërsjellët në këto letra”, thotë Haxholli.

Ndërkohë, gjatë ditës, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se Kosova nuk duhet të bëjë kompromise që cenojnë funksionimin e vendit.

“Republika e Kosovës mendoj që në asnjë rrethanë nuk duhet të bëjë asnjë kompromis e cila do të cenonte funksionalizimin e saj. Është temë e rëndësishme dhe kjo që kemi arrit deri më sot, e kemi arritur më mbështetjen e fuqishme të Amerikës dhe i jemi përjetësisht mirënjohës. Në radhë të parë nuk besojmë asnjëherë se SHBA-të do t’i kërkojnë Kosovës të bëjnë kompromise që e cenojnë sovranitetin tonë. Pra koordinimi i ngushtë në këtë proces e shohim si diçka tejet të rëndësishëm dhe jetike për Kosovën”, tha ai.

Kategorik kundër kompromiseve të mundshme u shpreh edhe Besnik Tahiri nga AAK. “Kompromiset kanë ndodhur në procesin e Ahtisarit dhe proceset tjera. Nuk kemi çka të bëjmë kompromise të tjera, përveç njohjes reciproke ndërmjet dy vendeve”, u shpreh ai, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Presidenti amerikan, Joe Biden vazhdimisht në letrat e tij dërguar krerëve institucionalë në Kosovë dhe Serbi ka përmendur njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

Përkundër konstituimit të institucioneve, dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian ende nuk ka rifilluar.