Fjalë Kyçe

Mjeku kosovar tregon se kur duhet të bëhet analiza e D-dimerit nga të prekurit me COVID-19

Mjeku kosovar tregon se kur duhet të bëhet analiza e D-dimerit nga të prekurit me COVID-19

Të gjithë të infektuarit me COVID-19, nuk është e kanë të nevojshme që ta kryejnë analizën e D-dimerit. Njohësit e fushës së shëndetësisë thonë se kjo analizë është e panevojshme te disa persona të infektuar me COVID-19.

Me t’u infektuar me COVID-19, shumë qytetarë u janë drejtuar klinikave private për ta kryer analizën e D-dimerit, e cila tregon për rrezikshmërinë e mpikjes apo trashjes së gjakut.

Përkundër që kjo analizë vlerësohet tejet e rëndësishme, kryerja e saj thuhet se nuk është e domosdoshme për gjithë qytetarët e infektuar me COVID-19.

Aq më shumë, kur kjo analizë nuk kryhet në spitalet rajonale, disa qytetarë nuk kanë se pse të shpenzojnë 15 deri në 20 euro për ta kryer atë në klinika private.

Kirurgu vaskular, Elmi Olluri ka thënë për Express se kjo analizë është shumë e rëndësishme, mirëpo qytetarët nuk duhet ta bëjnë atë pa pasur nevojë e pa një udhëzim të ekspertit.

“D-dimeret janë të panevojshme të bëhen te personat me COVID-19, nëse atë nuk e kërkon eksperti i lëmisë, pasi që dyshon në trombozë. Popullata duhet të drejtohet tek eksperti. Pas ekzaminimit klinik dhe pas ekzaminimit me ultrazë, duhet bërë kërkesën për D-dimer sepse është e kushtueshme dhe e panevojshme nëse nuk kërkohet nga eksperti”, ka thënë ai.

Olluri ka treguar edhe te cilat sëmundje D-dimeri është në vlera më të rritura.

“D-dimeri është në vlera më të rritura të personat me sëmundje të mëlçisë, të gjendja pas lindjes, shtatzënia në muajin e katërt e më lartë, streset fizike, lëndimet, pezmetimet apo infeksionet e ndryshme siç është tani rasti me COVID-19. Pra, këto janë të gjitha ato sëmundje që mund ta rrisin D-dimerin”, ka deklaruar ai.

Derisa kjo analizë ka filluar të kryhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nga kjo e fundit po ashtu është thënë se kryerja e saj është e domosdoshme kur klinicisti e kërkon atë, e jo pa u konsultuar me atë.

“Analiza e D-Dimer po kryhet në Klinikën e Biokimisë për të gjithë pacientët e shtrirë në QKUK. Analiza kryhet me rekomandim paraprak nga mjekët specialistë, nga klinika përkatëse ku janë të shtrirë pacientët. Është e domosdoshme kur klinicisti e shkruan po jo mënyrë të vetme”, është thënë nga zyra për informim.

Ndërsa, infektologu Ilir Tolaj, ka treguar për Express rëndësinë që e ka analiza e D-dimerit.

Ai ka thënë se informatat që merren nga kryerja e kësaj analize, janë shumë të nevojshme për të siguruar një mjekim adekuat.

“Një set i analizave laboratorike të bëra në fillim të COVID-19 japin informata të vlefshme për ecurinë e mundshme të sëmundjes. Në këtë mënyrë mund të diferencohen që në fillim personat e infektuar tek të cilët ecuria e sëmundjes mund të jetë e rëndë dhe e ndërlikuar. Prandaj, informatat e fituara përmes analizes d-dimer janë më se të nevojshme për të siguruar një mjekim adekuat te i sëmuri me COVID-19”, ka thënë ai.

Tolaj ka thënë se për shkak se një prej ndërlikimeve të mundshme dhe serioze të COVID-19 mund të jenë çrregullimet në sistemin e koagulimit të gjakut është shume e rëndësishme që një ndërlikim i tillë i mundshëm të parandalohet.

Ai ka treguar se nëse një ndërlikim i tillë arrin të mjekohet me terapi adekuate, do të parandalohen ndërlikimet e mundshme si infarkti i miokarditit (Ndërprerja e menjëherëshme e furnizimit të muskulit të zemrës me gjak), pika në tru, trombembolia mushkërore e ndërlikime tjera.