Në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike, u realizuan dy intervenimet e para me kirurgji minimale invazive, me laparaksop.
Në njoftimin për media nga QKUK, thuhet se rasti i parë ka qenë një 13 vjeçar, i cili ishte i diagnostikuar si varicocele e testitit (zgjerim i venave të testitit) të anës së majtë.
“Intervenimi u krye me sukses dhe pacienti është liruar në shtëpi në gjendje të mirë, pas vetëm një ditë qëndrimi në spital”, thuhet në njoftim.
Rasti i dytë, një pacient i moshës 10 vjeç, i diagnostikuar si cholelithiasis (gurë në fshikëzën e tëmthit).
“Pacienti është liruar pas dy ditë qëndrimi në spital, në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet tutje.
Kjo metodë e operimeve ka shumë përparësi në raport me operacionet kirurgjike klasike sepse është me invazion minimal .
“Pacientët e operuar, pas operacionit e marrin veten shumë më shpejt, i kthehen aktiviteteve normale të jetës, kurse ulet shkalla e invaliditetit dhe kostoja e hospitalizimit. Stafi mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike, përfshirë kirurgët pediatrik, anesteziologët dhe stafin e mesëm shëndetësor do vazhdojnë të kryejnë operacione me metoda të tilla minimale invazive”, përfundon njoftimi.