Fjalë Kyçe

Në Kosovë janë trajtuar 33 mostra të dyshimta me koronavirus

Në Kosovë janë trajtuar 33 mostra të dyshimta me koronavirus

Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka ripërsëritur se në Kosovë nuk ka asnjë rast me koronavirus.

Përmes një komunikate për media ky institutit njofton se nga data 08.02 deri me 01.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 33 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Sipas tyre, nga data 01.02.2020 deri me 01.03.2020 nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 1.223 udhëtarë.

“Nga Aeroporti “Adem Jashari” 322 udhëtarë, Vërmicë 367, Merdare 461, Hani i Elezit 22, Dheu i bardhë 37, Kullë 7 dhe Qafë Morinë 7 udhëtarë”, thuhet në njoftim.

IKSHP njofton se me datë 01.03.2020, në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” ekipet mjekësore të Aeroportit bashkë me QKMF- Obiliq, Inspektoratin Sanitar të Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinës të mbështetur nga ekipi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë kontrolluar të gjithë udhëtarët e ardhur sonte nga Verona e Italisë, sipas protokolleve të OBSH-së dhe ECDC dhe te asnjeri nuk janë gjetur shenja klinike të sëmundjes.

Të gjithë udhëtarët janë rekomanduar:

Të qëndrojnë në shtëpitë e veta: rrezikshme

Të evitojnë kontaktet e afërta me persona;

Të evitojnë përshëndetjen me shtrëngimin e duarve;

Të mbajnë higjienën personale dhe larjen e duarve;

Në rast të shfaqjes së temperaturës, kollitjes apo vështirësive në frymëmarrje duhet të paraqiten te mjeku i familjes me historikun e udhëtimit.

Aktivitetet në lidhje me monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së COVID-19

Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka konstatuar po vazhdojnë masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së COVID-19 që konsistojnë në:

Vazhdimin e zbatimit të parimeve themelore nacionale të reagimit në sistemin e mbikëqyrjes së rasteve.

Depistimin dhe detektimin e rasteve të dyshimta, si dhe përcjelljen e dinamikës së sëmundjes;

Konfirmimin laboratorik të rasteve të raportuara;

Aktivizimin e ekipeve për hulumtim të epidemisë;

Ekipet e IKSHPK dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Koronavirus në pikat hyrëse tokësore dhe aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Aktivitetet e rekomanduara nga Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse kanë vazhduar me masat për parandalimin e virusit në institucionet arsimore të Kosovës që konsistojnë në:

Shpërndarjen e materialeve të edukimit dhe promovimit shëndetësor, posterëve dhe lifleteve.

Organizimin e ligjëratave përkushtuar njohurive për koronaviruson COVID- 19, të organizuara nga arsimtarët dhe profesorët me përkrahje të specialistëve të shëndetësisë publike të IKSHPK.

Ndërmarrjen e hapave sipas rekomandimi të IKSHPK që në të gjitha institucionet shkollore të bëhet dezinfektimi i shtuar i të gjitha sipërfaqeve dhe nyjeve sanitare.

Shkëmbimi i informatave ndërinstitucionale mes Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK, Qendrës së Situatave, Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave, SHSKUK, AUV, QKMF-ve, Policisë së Kosovës, FSK, MASHTIKSHPK, thekson se nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar duke përsëritur rekomandimet:

Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!

Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!

Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratore!

Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!

Lani duart porsa hyni në shtëpi!

Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!

Lani duart pas përdorimit të tualetit!

Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!

Evitoni përdorimin e tualeteve publike!

Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!

Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!

Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit!

Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes!

Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!

Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!

Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike nëse përdorin transportin publik të përdorin maska!

Gjatë udhëtimit përdorni ushqime të paketuara!

Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë, Kore e jugut, Iran, zonat e Italisë, Gjermani, Francë apo zona të prekura nga COVID-19 brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore!

Nëse personi nuk ka kontakt të afërt me të sëmurin por vetëm është kontakt potencial për atë se ka qëndruar në vendet ku ka raste me COVID-19, personit të tillë i rekomandohet izolimi vetë-shtëpiak edhe në prani të anëtarëve tjerë të familjes.

Kontaktet këshillohen për monitorim të shëndetit për 14 ditë pas datës së fundit të ekspozimit dhe të kërkojnë kujdes të menjëhershëmshëndetësor nëse shfaqin ndonjë simptomë, veçanërisht ethe, temperaturë, simptoma të frymëmarrjes, siç janë kollitja ose vështirësi në frymëmarrje ose diarreja.

Kontaktet duhet të konsiderojnë ushtrimin e vetë-izolimit për 14 ditë në shtëpi

Është me rëndësi që ky person nuk duhet të shkojë në punë, shkollë, kino dhe ambientet publike ku ka grumbullim të shumë personave

Rregulla e parë e izolimit në shtëpi është:

Personat e moshuar dhe fëmijët të ndahen nga anëtarët tjerë të familjes.

Të shfrytëzohen peceta, të dezinfektohen sipërfaqet dhe gjësendet, sa më shpesh të lahen rrobat, mbajtja e higjienës së duarve është esenciale dhe të shmanget prekja e hundës, gojës dhe syve.

Gjatë kollitjes dhe teshtitjes të përdoret peceta dhe ato të hudhen në vende të sigurta.

Nëse ka mundësi secili të bëjë gjumin në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë banjo personale.

Mos pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi.

Nëse keni kafshë shtëpiake largoni ato ose pas çdo kontakti me to lani duart me ujë dhe sapun.

Monitoroni simptomet e juaja.

Thirrni mjekun tuaj para vizitës në kujdesin shëndetësor.

Menaxhoni në mënyrën e duhur mbeturinat.

Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës!

IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt zonave/ shteteve me Koronavirus, nëse nuk e kanë të domosdoshme!

“Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 29 shkurt 2020, janë raportuar gjithsej 87 024 raste me COVID-19 dhe gjithsej 2 979 raste të vdekjes, derisa në BE dhe Mbretëri të bashkuar, janë raportuar 1 520 raste me COVID-19 dhe 31 raste të vdekjes. Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime. Qytetarët do të jenë të informuar në kohë reale për çdo ndryshim eventual të tillë”, thuhet tutje në njoftim.