Një djalosh pesëvjeçar ka vdekur të premten në New York nga një sëmundje e rrallë inflamatore që besohet se lidhet me koronavirusin e ri, duke e shpërfaqur rrezikun e ri potencial të pandemisë për fëmijët, ka thënë guvernatori, Andrew Cuomo.
Ai ka bërë të ditur se djaloshi ka vdekur të enjten dhe se zyrtarët shëndetësorë janë duke i hulumtuar 73 rastet e ngjashme përgjatë New Yorkut, ku fëmijët kanë shfaqur simptoma të ngjashme me sëmundjen Kawasaki apo sindromën toksike që shkakton shok dhe që mund të jetë e lidhur me Covid-19.
“Ndonëse rrallë, jemi duke parë disa raste, kur fëmijët e virus mund të sëmuren rëndë me simptoma të ngjashme me sëmundjen Kawasaki që me plot kuptimin e fjalës shkakton ndezje të enëve të tyre të gjakut”, ka thënë ai.
Rastet e sëmundjes së rrallë inflamatore me rrezik për jetën e fëmijëve ndërlidhen me ekspozimin ndaj Covid-19 ndërsa janë raportuar për të parën herë në Britani të Madhe, Itali dhe Spanjë. Mirëpo mjekët në SHBA kanë nisur të raportojnë për shtim të numrit të fëmijëve me këtë çrregullim, i cili sulmon shumë organe, dëmton funksionin e zemrës dhe dobëson arteriet.
“Ky do të jetë një lajm përnjëmend i dhembshëm dhe do ta hapë një kapitull krejtësisht tjetër”, ka thënë Cuomo.
Kjo sindromë e re, e cila ndodh disa ditë apo javë pas prekjes nga sëmundja Covid-19, i reflekton mënyrat befasuese sesi koronavirusi i ri infekton dhe sëmurë njerëzit. Shkencëtarët ende janë duke u munduar që të përcaktojnë nëse sindroma është e lidhur me koronavirusin, pasi që jo të gjithë fëmijët e prekur kanë rezultuar pozitivë në testet për koronavirus.
Në anën tjetër, autoritetet mjekësore në Britani të Madhe kanë njoftuar të premten se një foshnje gjashtëjavëshe është në mesin e 332 personave që kanë vdekur në spitalet e Anglisë si pasojë e koronavirusit.
Me rastet e reja të vdekjeve, në Angli numri i të vdekurve ka arritur në 22 mijë e 764. Siç raportojnë mediat britanike, foshnja kishte edhe probleme të tjera shëndetësore.
Nga 332 të vdekurit e ditëve të fundit, 22 janë të moshave 40 deri në 96 vjeçare. Bilanci i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar ka shkuar në 33 mijë e 21, ka njoftuar Zyra kombëtare e Statistikave. Ndërkaq kryeministri, Boris Johnson, ka paralajmëruar publikimin e planit të tij të zbutjes së masave kufizuese gjatë së dielës.