Isme Humolli, shefe Emergjencës pranë Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, ka treguar në “Express intervistën” në KTV, se kontigjenti i parë me ndihma për Kosovën, do të vijë më së largu nesër.
Ajo tregoi se kontingjenti përmban pajisje mbrojtëse esenciale, të cilat UNICEF-i i bjen donacion me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ditë më parë, Banka Botërore dhe OBSH-ja vendosën të ndihmojë shëndetësinë në Kosovë me donacion prej 15 milionë eurove. “Kërkesa është shumë më e madhe se që e ka kërkuar MSH-ja. Presim, në qoftëse jo sot, atëherë nesër sipas informatave të vijë kontingjenti”, ka thënë Humolli.
Ajo tregoi se gjatë ditës ka pasur edhe një takim me kreun e MSH-së, Arben Vitia për të prioritizuar nevojat. “Lista prioritare përmban pajisje personale mbrojtëse për punëtorët shëndetësor dhe për të gjithë që kanë nevojë për to”, tha Humolli.
Sipas saj, UNDP-ja një pjesë të pajisjeve mbrojtëse tashmë ia ka dorëzuar Policisë, ndërkohë që prioritet është paraqitur edhe pajisja shtesë me respiratorë dhe ventilator. Për këtë ka thënë se përmes kanaleve të Kombeve të Bashkuara, po shikohet mundësia që të sigurohen respiratorë e ventilatorë.
“Por ta kemi parasysh situatën, pasi kemi të bëjmë punë me një patogjen që në vazhdimësi është duke na befasuar”, Ka shtuar ajo. Humolli ka lavdëruar punët dhe përgatitjet e bëra për të luftuar koronavirusin. Po ashtu, ka lavdëruar nivelin e lart në Klinikën Infektive, si për higjienën ashtu edhe përgatitjen e stafit. Ajo tregoi se kjo klinikë dhe stafi kanë marrë note vlerësimi goxha të lartë nga OBSH-ja.
“Klinika infektive është vlerësuar bukur lart, ka një staf mirë të trajnuar, që ka kaluar e trajtuar epidemi të ndryshme. Po ashtu edhe stafi ndihmës. Klinika infektive është e vlerësuar goxha lart”, ka thënë Humolli.
Për fondin 15-milionësh ka thënë se është i dedikuar për sistemin në tërësi shëndetësor, nga ai parësor deri tek ai tretrësor.“Të gjitha këto kanë të bëjnë me përmirësimin e shërbimeve”, shtoi ajo.
Humolli ka folur edhe për dy ilaçet, për të cilat është folur se nëse merren se bashku mund të luftojnë koronavirusin. Bëhet fjalë për Hydroxychloroquine dhe Azithromycin, të cilat Ministria e Shëndetësisë tashmë i ka siguruar.
“Klorokina është preparat që është përdorur me vite kundër malaries, por ka dy dekada që është fituar një rezistencë dhe nuk po përdoret fare. Sa i përket azitromicinës, ajo ka treguar shumë sukses në trajtimin e infeksioneve të rënda të mushkërive, që kanë origjinë bakteriale. As njëra e as tjetra nuk kanë veprim specifik në koronavuirus. Azitromicina mund të përdoret në raste të rënda të mushkërive”, ka thënë ajo.