Në një konferencë për shtyp në selinë e OBSH-së në Gjenevë të premten, një zëdhënës i OBSH-së tha se rezultatet e studimit, i cili nuk është analizuar nga shkencëtarë të organizatave të tjera, “tregojnë se trajtimi me hidroksiklorokuinë, remdezivir, lopinavir / ritonavir dhe interferon duket se ka pak ose aspak efekt tek vdekshmëria në një cikël 28 ditor, ose kohëzgjatja e qëndrimit në spital për COVID-19 midis pacientëve të shtruar në spital. ”
Studimet e mëparshme i kishin përjashtuar tre prej trajtimeve. Por gjetjet janë në kundërshtim me një provë klinike të remdezivirit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit i Shteteve të Bashkuara në prill i cili tregoi se ilaçi përshpejtonte normat e rimëkëmbjes së njerëzve me raste të rënda të COVID-19.
Çmimi i aksioneve të kompanisë që prodhon remdezivirin, Gilead Sciences, Inc., filloi të binte ndërsa lajmet e studimit të OBSH-së u përhapën të premten.
Kompania lëshoi një deklaratë duke thënë se të dhënat dukeshin të kontradiktore, përfundimet ishin të parakohshme dhe iu referuan studimeve të tjera, të tilla si ai nga Instituti Amerikan i Shëndetit, i cili kishte vërtetuar përfitimet e ilaçit. Remdezivir ishte një nga ilaçet e përdorura për të trajtuar Presidentin e SHBA Donald Trump kur u prek nga COVID-19 në fillim të këtij muaji./VOA