Rregullatorët në Europë pohuan se një inflamacion ne zemër është efekt anësor i vaksinave kundër Covid të prodhuara nga kompanitë Pfizer/ Biontech e Moderna, edhe pse fenomeni sipas tyre mbetet mjaft i rrallë.
Agjencia Europiane e Ilaçeve sqaroi se ky efekt anësor është pikasur më shumë tek meshkujt e rinj. Ajo megjithatë i mëshoi sërish idesë se përfitimet e vaksinave kundër koronavirusit vazhdojnë t`i kapërcejnë rreziqet. Por mjekët dhe pacientët janë këshilluar që të jenë të vetëdijshëm për simptomat e inflamacionit në zemër.
Në to përfshihen dhimbja në gjoks dhe ndjesia e mos mbushjes me frymë. Pesë persona kanë ndërruar jetë deri tani nga ky komplikacion, por sipas agjencisë kanë qenë më të moshuar ose kanë pasur edhe probleme të tjera shëndetësore.
Rregullatorët e medikamenteve në SHBA lëshuan po ashtu disa ditë më parë një paralajmërim në vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna, për inflamacion të lehtë në zemër, për individët që marrin këto doza. Vaksinat e dy prodhuesve administrohen me dy doza.