Fjalë Kyçe

Pse personat e traumatizuar nuk duan që të flasin për traumat e tyre?

Pse personat e traumatizuar nuk duan që të flasin për traumat e tyre?

Fjala traumë rrjedh nga greqishtja e vjetër që do të thotë “lëndim”. Pra, ashtu sikurse trupi që mund të lëndohet pas pësimit të ndonjë aksidenti, edhe mendja apo psiqika jonë mund të lëndohet apo të traumatizohet pas përjetimit të ndonjë ngjarje traumatike.

Ngjarje traumatike konsiderohen ato ngjarje që shkaktojnë një nivel të lartë të frikës dhe stresit tek ne. Të tilla ngjarje mund të jenë: aksidentet e trafikut, plagosja, lufta, tërmeti, abuzimi seksual, vdekja e papritur e ndonjë të afërmi etj. Ndërkaq, stresi i cili e shoqëron individin edhe pasi që rreziku real nga ngjarja traumatike të ketë kaluar, zakonisht njihet si stres posttraumatik.

Një prej simptomave të stresit posttraumatik është shmangia apo ikja nga pothuajse ҫdo gjë që na kujton traumën; për shkak se kujtimi i traumës prodhon ndjenja të pakëndshme. Kjo është njëra prej arsyeve që njerëzit e traumatizuar i shmangën vendeve dhe njerëzve që ua kujtojnë traumën. Për më shumë, ata edhe nuk duan që të flasin apo që ta kujtojnë traumën. Mirëpo, paradoksalisht, aq më e madhe që të jetë përpjekja për të mos menduar për traumën, aq më shumë mendojmë për të. Në psikologji këto ndryshe njihen edhe si mendime të imponuara; pra ndodhin pa vullnetin dhe dëshiren e personit.

Arsye tjetër që njerëzit e traumatizuar nuk dëshirojnë që të flasin për traumën është ndjenja e vetfajsimit. Karakteristikë e personave të traumatizuar është fajsimi i vetës për atë që u ka ndodhur, madje, edhe atëherë kur ata apo ato nuk kanë as fajin më të vogël. P.sh. studimet tregojnë që edhe femrat e abuzuara seksualisht e fajsojnë vetën për atë që u ka ndodhur.

Përveҫ kësaj, personat e traumatizuar ndihen sikur njerëzit e tjerë nuk mund t’i kuptojnë ata, për shkak se të tjerët nuk kanë kaluar nëpër atë që kanë kaluar ata.

Mirëpo, të mos flasësh për traumat psikologjike ëshët njëjtë sikur t’i lësh pa trajtuar plagët fizike. Pra, edhe pastrimi apo trajtimi i plagëve fizike nuk është as e këndshme dhe as e lehtë. Por, dhimbja e trajtimit të plagës është ҫmimi që ne paguajmë për ta shëruar atë. Ngjashëm është edhe me traumat psiqike. Të flasësh për traumat psikologjike nuk është gjë e lehtë; por është ҫmimi që duhet paguar për ta trajtuar atë.

Përndryshe, ashtu sikurse edhe mostrajtimi i plagëve fizike që mund të sjell implikime të tjera shëndetësore, ashtu edhe mostrajtimi i stresit posttraumatik mund të qoj në probleme të tjera psikologjike. Studimet tregojnë që mostrajtimi i stresit posttraumatik mund të shkaktoj ankth, depresion, abuzim me alcohol, si dhe probleme të tjera fizike dhe psikologjike.

Shkruan: e-Mental (platforma për këshillim dhe trajtim psikologjik online)