Fjalë Kyçe

Rrjedhja e informacioneve të klasifikuara mbetet sfidë për Kosovën

Rrjedhja e informacioneve të klasifikuara mbetet sfidë për Kosovën

Kosova ka kapacitete të mjaftueshme logjistike në aspektin e sigurisë, mirëpo njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se sfidë mbetet rrjedhja e informacioneve të klasifikuara zyrtare që mund ta rrezikojnë sigurinë në vend.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme Valdet Hoxha, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kapacitetet në aspektin logjistik të institucioneve shtetërore, duhet mirëmbajtur.

Hoxha ka thënë se rrjedhja e mundshme e informacioneve është vepër penale dhe dënohet deri në 10 vjet burg.

“Konsideroj që Kosova tashmë e ka përmbush këtë kriter dhe besoj ka kapacitete të kënaqshme, por natyrisht këto kapacitete duhet rindërtuar, duhet mirëmbajtur dhe duhet freskuar me kuadro të reja, qoftë të specializuara jashtë shtetit apo brenda tij. Natyrisht në parim mund të ketë rrjedhje të informacionit prandaj është edhe sanksionuar në Kodin Penal si vepër penale. Në rast të vërtetimit se ekziston një rrjedhje e informacionit, sidomos të informacioneve të klasifikuara të cilat mund të rrezikojnë qoftë t’i shkelin të drejtat e njeriut apo ta rrezikoj sigurinë kombëtare, ka një dënim që është relativisht i rëndë dhe mund të shkoj deri në 10 vite burg”, ka thënë Hoxha.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme ka thënë se edhe punësimi i militantëve mund të ndikojë në rrjedhjen e informacioneve edhe të paqëllimshme, por që mund të ketë dëme të mëdha.

Sipas tij është sfidë që të sigurohet që zyrtarët shtetëror të mos shpërndajnë informata, çfarë do qofshin ato.

“Shtetndërtimi ka filluar mirë, po vazhdon mirë por gjithmonë është një sfidë tek ndërrimi i pushteteve të cilët tentojnë ta shtrijnë dorën tek zyrtarët, ndoshta pa një qëllim të keq. Mund të jetë edhe arsyeja e punësimit e të punësuarve e militantëve të tyre, por që nga ajo kompetencë më vonë mund të ketë edhe rrjedhje të informacionit të cilat mund të bëhen pa dashje, por që dëmi mund të jetë i madh. Rrjedhja e informacioneve zyrtare sidomos atyre konvencionale mund të rrezikoj sigurinë në vend. Është sfidë që ne të sigurohemi që zyrtarët e shtetit tonë të mos nxjerrin informata, qoftë të klasifikuara apo zyrtare”, ka thënë ai.

Përderisa njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë se institucionet e sigurisë në vend e kryejnë punën në mënyrë profesionale.

“Me vetë faktin që institucionet e sigurisë janë duke e kryer punën ashtu siç duhet dhe se suksesi i institucioneve të sigurisë është evident. Seriozisht ka vend për lëvdata edhe pse ka vend që të punohet edhe më tepër, por duke e pasur parasysh se sa i ka kapacitetet e logjistikës mendoj që institucionet e sigurisë i plotësojnë kushtet për funksionimin normal për kryerjen e punëve të tyre edhe pse në shumë raste mund të ketë mungesë në aspektin kohorë të logjistikës”, është shprehur ai.

Sa i përket laboratorit të Forenzikës, Islami ka thënë se është një ndër laboratorët më të mirë në Ballkan.