Fjalë Kyçe

SHBA-të autorizojnë përdorimin e plazmës së gjakut për trajtimin e Covid-19

SHBA-të autorizojnë përdorimin e plazmës së gjakut për trajtimin e Covid-19

Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe ka dhënë miratimin për përdorimin e plazmës së gjakut si një mënyrë për trajtimin e pacientëve të infektuar me koronavirus.

Trajtimi parasheh injektimin e plazmës nga gjaku i pasuruar me antitrupa, i personave të shëruar, te të sëmurët aktualë me COVID-19. Kjo teknikë është përdorur tashmë te më shumë se 70 mijë njerëz të prekur nga sëmundja pandemike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Administrata ka bërë të ditur se testimet e hershme janë treguar të sigurta, ani pse duhet shumë punë për të parë efektet reale të tyre.

Megjithëkëtë, disa ekspertë kanë vënë në dyshim fuqinë e këtyre studimeve mbi përdorimin e plazmës së gjakut.

Miratimi për përdorimin e kësaj teknike u bë vetëm një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e akuzoi Administratën për Ushqim dhe Ilaçe se për shkaqe politike ka vonuar procesin dhe testimin e vaksinave. Presidenti ka thënë se kjo formë e trajtimit do të shpëtojë jetë të panumërta dhe ta fuqizojë betejën kundër, siç vazhdon ta quajë ai, virusit kinez.

Më shumë se 176 mijë persona kanë vdekur nga koronavirusi në SHBA. Ndërsa janë infektuar deri më tani edhe 5.7 milionë të tjerë.