Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve që në pakon fiskale të futen të gjithë punëtorët shëndetësorë dhe stafi mbështetës.
Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, kjo Federatë ka shprehur indinjatë në emër të të gjithë punëtorëve shëndetësorë, në lidhje me ndarjen e kompensimit shtesë për punëtorët shëndetësor bazuar në Pakon Fiskale Emergjente respektivisht Masa-6.
“Po jua rikujtojë se para marrjes së vendimit tuaj në mbledhjen e Qeverisë ne me datë 29 Mars u jemi adresuar duke kërkuar që në këtë Pako të futen të gjithë punëtorët shëndetësorë dhe stafi mbështetës duke filluar nga punëtorët e sigurimit, punëtorët e pastrimit, bartësit, vozitësit, punëtorët e shërbimeve teknike dhe të administratës, IT, profilet jo-mjekësore të punësuar në institucione shëndetësore, infermierët, mjekët, specialistët e të gjitha fushave mjekësore, farmacistët, psikologët, stomatologët e gjithë të tjerë”, thuhet në njoftim..
Duke iu drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, FSSHK ka thënë se po bëhen shkelje të të drejtave të punëtorëve shëndetësorë, të cilat sipas tyre, burojnë nga Kushtetuta.
“Por siç duket kemi hasur në vesh të shurdhër dhe si pasojë e kësaj zyrtarët tuaj bëjnë presion tek menaxhmentet e institucioneve shëndetësore PËR PASTRIM TË LISTAVE që nënkupton përjashtimin e shumë punëtorëve nga kjo Pako. Bazuar në këtë Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës do ti adresohet Avokatit të Popullit dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave Lirive të Njeriut në Kosovë” thuhet në njoftim.
Ata kanë bërë thirrje ose të stimulohen të gjithë punëtorët ose asnjëri prej tyre. “Punëtorët shëndetësorë dhe stafi mbështetës nuk janë për lëmoshë por kërkojnë respektin e merituar nga institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.