Kosova radhitet në mesin e vendeve me përqindje të lartë të vaksinimit.
Sipas statistikave zyrtare, rreth 95 për qind e fëmijëve, janë vaksinuar, sukses ky që ka parandaluar epidemitë për 10 sëmundje vaksinë preventabile.
IKSHPK-ja thotë se fruthi, është një nga sëmundjet, që falë vaksinimit, nuk kishte shënuar epidemi në Kosovë. Por, këtë vit, megjithatë janë shënuar 94 raste të fruthit të diagnostikuara në laboratoret e Institutit Kombëtar.
‘Pjesa dërmuese e rasteve të fruthit janë regjistruar në komunitetin RAE dhe fëmijët e riatdhesuar që të gjithë të pavaksinuar. Sipas Programit të Zgjeruar të Vaksinimit, vaksinimi kundër fruthit me vaksinën MMR është i obliguar me Ligj dhe i nënshtrohen të gjithë fëmijët e moshës 12 muajshe dhe ajo 6 vjeçare me 1 dozë prej 0.5ml. Nëse fëmija nuk është vaksinuar në periudhën kohore të caktuar, prindi është i obliguar të kompletojë statusin vaksinal të fëmijës sa më parë. Përjashtim bëjnë vetëm fëmijët që për çfarëdo arsye qoftë kanë kundërindikacion specifik për vaksinim. Sëmundja e fruthit karakterizohet me shkallë të lartë të infektueshmërisë andaj edhe përhapja brenda territorit të caktuar është e shpejtë. Rreziku ndër-shtetëror i importimit të sëmundjes nga vendet fqinje dhe vendet e Europës është permanent pasi që sëmundja përhapet me ajër”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se viteve të fundit sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fruthi ka “rilindur” në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar nga shkaku se nuk janë vaksinuar me rregull.
“Në shumë vende të Europës janë regjistruar të sëmurë dhe të vdekur nga Fruthi. Organizata Botërore të Shëndetësisë raporton për rritje të shkallës së sëmundshmërisë nga fruthi në Rajonin e Evropës dhe Ballkanit përfshirë edhe Maqedoninë e cila javën e kaluar ka shpallur epidemi. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës Nacionalni Institut za Javno Zdravstvo Kosova / National Institute Public Health of Kosova Republika e Kosovës Republika Kosova-Republic of Kosovo Qeveria-Vlada-Government Ministria e Shëndetësisë / Ministarstvo Zdravsta / Ministry of Health Në Kosovë situata epidemiologjike me fruth është në kontroll të plotë dhe në mbikëqyrje permanente nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Duke qenë se jemi në stinën e ftohtë të dimrit, kur qytetarët mblidhen në dhoma të ngrohta, të paajrosura mundësia e përhapjes së fruthit rritet, por gjithnjë vetëm te fëmijët e pavaksinuar. Aktualisht në laboratoret e Institutit Kombëtar nuk ka asnjë rast të izoluar të fruthit. Të gjithë ata fëmijë të vaksinuar me rregull nuk do të sëmuren nga fruthi! Instituti Kombëtar në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë ka siguruar doza të mjaftueshme të vaksinave kundër fruthit dhe sëmundjeve tjera vaksinë preventabile. dhe po implementon masat parandaluese e kontrolluese”, thuhet tutje në njoftimin e IKSHPK-së.
Përmes aktiviteteve të veçanta, Instituti Kombëtar dhe QKMF-të bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme po tenton të gjejë të gjithë fëmijët e komunitetit RAE të cilët një numër i tyre janë regjistruar me identitet të ndryshëm në Kosovë dhe identitet tjetër kur lëvizin në vendet fqinje!
“Andaj, apelojmë te të gjithë prindërit të cilët për shkaqe të ndryshme nuk i kanë vaksinuar fëmijët e tyre kundër fruthit por edhe kundër sëmundjeve tjera vaksinë preventabile, të lajmërohen menjëherë në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve të tyre. Lusim Televizionin Publik të Kosovës që këtë apel ta emitojë edhe në gjuhën serbe, turke dhe rome. Lusim të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike të publikojnë këtë apel në hapësirat e tyre”, përfundon njoftimi.