Fjalë Kyçe

Kosova mund të luaj ndaj Serbisë? Ky është vendimi i UEFA-s

Kosova mund të luaj ndaj Serbisë? Ky është vendimi i UEFA-s

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll dhe skuadrat kosovare nuk do të mund të zhvillojnë ndeshje si vendas apo mysafir ndaj Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Rusisë.

Ky është vendim i Federatës Europiane të Futbollit – UEFA dhe ai është i vlefshëm, përveç në rastet kur përfaqësueset e këtyre vendeve ose ekipet e tyre arrijnë në fazën eliminatore ose finale të ndonjë gare apo kampionati.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka thënë për ‘Radion Evropa e Lirë’ që ndeshjet eventuale të ekipeve të Kosovës me ekipet e këtyre tre vendeve, në rast se arrijnë në fazën e eliminatoreve ose finaleve, do të luhen në terrene neutrale. Ndërkaq, në rastin e Përfaqësuesve për kualifikimet për kampionate europiane, UEFA do të kujdeset që të shmangë pjesëmarrjen e tyre brenda një grupi garues.

“Në mënyrë juridike, këto nuk janë rregulla, por përjashtime, për arsye se në fillim, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë kërkuar me shkrim që të evitohen takimet e ekipeve, por edhe përfaqësueseve të Kosovës në ndeshjet kualifikuese. Pra, qoftë për përfaqësuese, qoftë për ekipe. Pastaj, në momentin e fundit edhe Rusia ka kërkuar ngjashëm. Me një vendim të Komitetit urgjencë të UEFA-s, është vendosur që edhe Rusia të mos luajë me ekipet e Kosovës në vend të vet, por të paktën në terrene neutrale. Ky është edhe një përjashtim tjetër” – ka thënë Salihu.

Ai ka shtuar se deri në fazën finale të garave do të veprohet kështu, por në fazën finale të kampionateve europiane, takimet nuk mund të evitohen, sepse konsiderohet që po luhen në terrene neutrale.

“Nëse është kampionat evropian apo kampionat botëror, sigurisht që do të luhet sipas agjendës që është përcaktuar, sepse askush nuk mund të lëvizë aty më. Por, nëse është për garat ekipore, që nuk mund të evitohet më në fund, atëherë sigurisht do të luhet në terren neutral ose vajtje –ardhje, nëse eventualisht ekipet pajtohen. Pra, këto janë opsione që pritet të shihen, por është e sigurt që në fazën finale nuk mund të evitohen takimet e tilla” – u shpreh Salihu.

Ndryshe, Kosova nuk ka arritur që të kualifikohet në ‘Euro 2020’ përmes grupeve dhe tani kualifikimin do ta kërkojë përmes Ligës së Kombeve, aty ku në gjysmëfinale takohet me Maqedoninë Veriore.

Edhe Serbia ka dështuar të kualifikohet përmes grupeve dhe në fazën e ‘play-offit’ takohet me Norvegjinë.