Fjalë Kyçe

Mbi 2 mijë fëmijë do të garojnë nesër në Festivalin Sportiv për Parafillorët e Prishtinës

Mbi 2 mijë fëmijë do të garojnë nesër në Festivalin Sportiv për Parafillorët e Prishtinës

Organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, nesër (e premte) do të mbahet Festivali i parë Sportiv për Parafillorët e Komunës së Prishtinës, shkruan GazetAlo

Festivali me moton “Premtoj fort, do të merrem me sport”, do të mbahet në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, duke filluar prej orës 09:15.

Qëllimi i Festivalit është masivizimi i sportit dhe joshja e fëmijëve për t’u marrë me sport.

Hapja dhe mbyllja e Festivalit do të jetë imitim i Lojërave Olimpike, ndërsa fëmijët do të kenë rastin që për herë të parë të shpalosin talentin e tyre në futboll dhe atletikë.

Dhjetëra ekipe, meshkuj dhe femra do të synojnë të bëhen kampionët e parë të Prishtinës në futboll, kurse dhjetëra të tillë do të provojnë disiplinat e atletikës si: vrapim, kërcim dhe hedhje të gjyles së imituar.

Festivali mbahet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe.

Dyert e stadiumit Fadil Vokrri do të jenë të hapura për prindër, nxënës të tjerë dhe tifozë të ndryshëm.
Në ceremoninë hapëse do të jenë të pranishëm edhe zyrtarët më të lartë të shtetit dhe Komunës së Prishtinës. /GazetAlo