Fjalë Kyçe

Mungesa e Messit në stërvitje ngre dyshimet për ndeshjen kundër Real Betisit

Mungesa e Messit në stërvitje ngre dyshimet për ndeshjen kundër Real Betisit

Për shkak të krizës që e ka kapluar Barcelonën në fazën e sulmit, tifozët e kishin pritur me ankth seancën stërvitore të së martës për ta parë nëse Lionel Messi do të ushtronte me skuadrën. Megjithatë, ata u zhgënjyen nga ajo që morën vesh.

Nuk ka asnjë dyshim se tani sytë e të gjithëve në Barcelonë janë te rikuperimi i Lionel Messit. Për shkak të lëndimeve të Luis Suarezit e Ousmane Dembeles dhe huazimit të Philippe Coutinhos për këtë sezon në Bayern, trajneri Ernesto Valverde nuk ka shumë opsione për fazën e sulmit, transmeton Gazeta Express.

Trajneri mund të mbështetet tani për tani vetëm në ndihmën e yllit të transferuar këtë verë, Antoine Griezmannit, dhe rezervës braziliane, Rafinhas.

Duke e pasur parasysh këtë gjendje dhe pas disfatës në ndeshjen hapëse të sezonit në Bilbao, të gjithë ishin duke pritur për ta parë nëse argjentinasi do të punonte bashkë me pjesën tjetër të skuadrës të martën. Por, ky lehtësim nuk u erdhi pasi që dhjetëshi punoi ndaras grupit të lojtarëve.

Kjo mungesë ka ngritur dyshimet se ai mund të mos jetë në dispozicion as për ndeshjen e së dielës kundër Real Betisit në “Camp Nou”, në kuadër të La Ligës, veçanërisht pasi që Valverde tha se nuk dëshiron ta rrezikojë yllin e skuadrës së tij.

AS raporton se vendimi do të merret të mërkurën, kur skuadra do ta zhvillojë një seancë të dyfishtë stërvitore. Nëse kapiteni i Barcelonës s’mund të stërvitet bashkë me skuadrën në asnjërën prej tyre, atëherë ai nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen në Sevilla.

Nëse skuadra stërvitet edhe nesër pa Messin, atëherë presioni për të fituar do të bie i gjithi mbi shpatullat e Griezmannit dhe Rafinhas. Valverde mund të detyrohet ta përdorë edhe Carlos Perezin në formacionin e tij të parë.