Fjalë Kyçe

Prokuroria Speciale konfirmon hetimet karshi kurdisjeve në futbollin kosovar

Prokuroria Speciale konfirmon hetimet karshi kurdisjeve në futbollin kosovar

Sonte prej orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet do të zhvillohet finalja e Digitalb Kupës së Kosovës ndërmjet Feronikelit dhe Trepçës ’89.

Kjo ndeshja ka rëndësi të madhe dhe i përfshinë interesat e tria klubeve: dy finalistëve – Feronikelit dhe Trepçës ’89, e po ashtu FC Prishtinës. Feronikeli para pak ditësh e fitoi titullin e kampionit dhe u kualifikuar në kompetecionin e Ligës së Kampionëve, ku e pret të paktën rreth 1 milion euro, shkruan Gazeta Express.

Ndërsa, fituesi i Kupës do të shkojë në kompetecionin e Ligës së Evropës. Por, me qenë se Feronikeli e ka fituar titullin e kampionit, fitorja eventuale në finale të Kupës sonte do ta linte Trepçën ’89 në shtëpi. Dhe, në Ligën e Evropës do të shkonte FC Prishtina si nënkampione e Kosovës.

24 orë para kësaj ndeshje kanë filluar të hidhen edhe dyshime mbi këtë ndeshje. Si kryetar i njërit prej grupeve më të mëdha të tifozëve në Kosovë, dhe më gjerë, Albert Kastrati, i njohur si “Tigri”, konsiderohet si mjaft i njohur dhe me ndikim në futbollin kosovar. Dhe, është pikërisht Kastrati ai i cili hodhi dyshime mbi këtë finale, njësoj siç pati bërë në vitin e kaluar duke alarmuar kurdisje në futbollin kosovar.

“Krejt njerëzit po thonë që është e kryer loja, fiton Trepça ’89…”, ka shkruar pos tjerash në Facebook, Kastrati.

Por, ky nuk është rasti i parë. Vetëm në këtë edicion, i cili është në prag të mbylljes, janë hedh dyshime për kurdisje në më shumë sesa dhjetë ndeshje tepër të rëndësishme në IPKO Superligën e Kosovës, raporton Gazeta Express. Por, dyshime edhe më të shumta ka pasur mbi ndeshjet në Ligën e Parë.

Fenomeni “kurdisje” ka qenë prezent në futbollin e Kosovës thuajse baras me topin në fushën e blertë. Por, qe njëzet vjet vetëm në një rast u pati shqiptuar një dënim, edhe atë më shumë sportiv, kur Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) gati para dhjetë vjetësh e kishte përjashtuar Fushë Kosovën, futbollistët dhe trajnerët e tët e të cilit e kishin denoncuar kurdisjen e lojës.

Kurdisjet e ndeshjeve janë të ndaluara dhe të dënuara edhe me ligjet e Kosovës që janë në fuqi. Madje, tashmë Kosova e ka një ligj special, siç është Ligji Kundër Huliganizmit dhe Dukurive në Sport. Por, deri më tani shteti nuk kishte bërë thuajse asgjë ndaj këtij fenomeni.

Mirëpo, anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA – të cilat i luftojnë rreptësishtë fiksimet e ndeshjeve – kanë ndikuar edhe në vendin tonë që FFK-ja dhe institucionet e hetuesisë dhe drejtësisë t’i çelin sytë karshi kurdisjeve.

Prokuroria Speciale qe një kohë ka nisur hetime karshi kurdisjeve të ndeshjeve në futbollin e Kosovës, të atilla çfarë nuk bëheshin më herët. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu. Mirëpo, në Prokurorinë Speciale nuk japin shumë informacione për të mos e dëmtuar procesin hetimor.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit është duke zhvilluar hetime lidhur me rastet e kurdisjeve të ndeshjeve sportive në Kosovë. Për momentin nuk mund të japim të dhëna tjera pasi që jemi në fazë të hetimeve”, thuhet në përgjigjen elektronike që e ka marrë Gazeta Express nga Prokuroria Speciale.

Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me kujdes i ka përcjell dhe i ka hetuar disa ndeshje kampionale në futbollin kosovar. Dhe, në një ndeshje u ka dal punë.

“Mbi dyshimet për kurdisjen e ndeshjes futbollistike te Ligës se Parë te Futbollit të Kosovës në mes të KF Trepça vs KF Fushë Kosova të luajtur me datën 25.02.2019 ne Mitrovicë, ju informojmë se sipas provave dhe dëshmive të siguruara gjatë ndërmarrjes së veprimeve hetimore kemi identifikuar katër persona të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”. Personat e lartcekur dyshohet se ne bashkëveprim kanë kurdisur rezultatin e kësaj ndeshje futbollistike dhe po ashtu kanë bërë shkelje procedurale me qëllim të cilat janë evidentuar ne Protokollin Zyrtar të ndeshjes për ti mundësuar ekipit mysafir KF Fushë Kosova që t’i fitoj pikët në tavolinë me rezultat zyrtar pas përfundimit të ndeshjes , gjë e cila edhe ka ndodhur”, ka njoftuar Policia para pak ditësh, duke treguar se ndaj katër personave është ngritur edhe kallëzim penal.

UEFA: Kosova nën monitorim

Shtëpia e futbollit evropian i kushton shumë rëndësi luftës kundër kurdisjeve të rezultateve në futboll. UEFA qysh moti e ka kontraktuar kompaninë e njohur, “Sportradar”, për t’i përcjellë dhe për t’i hulumtuar të gjitha kampionatet e vendeve anëtare të saj.

Kosova nga viti 2016 është anëtare e UEFA-s, andaj është në “radarin” e kësaj kompanie, e cila pasi i identifikon ndeshjet e kurdisura nëpër Evropë, të njëjtat I përcjell në UEFA, e cila “godet” në fund me dënime të rënda.

“Iniciativat kundër ndeshjeve të kurdisura u referohen të gjithë anëtarëve të UEFA-s. UEFA, në bashkëpunim me kompaninë ndërkombëtare ‘Sportradar’, vepron përmes një sistemi të zbulimit të basteve (BFDS), i cili monitoron dhe analizon aktivitetet e 32,000 ndeshjeve në Evropë çdo vit. Ky sistem funksionon që nga viti 2009. BFDS-ja i vëzhgon lëvizjet e parregullta të basteve para dhe gjatë lojës në të gjitha tregjet e basteve kryesore në Evropë dhe në Azi”, njofton UEFA, raporton Gazeta Express.

Ndeshjet në dy rangjet e para kampionale dhe garat e Kupës janë ato që përcillen nga lartë.

FFK: Jemi bashkëpunues në hetimet ndaj kurdisjeve

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) gjithnjë është treguar e paaftë në luftën ndaj kurdisjeve. Qe 20 vjet pasluftës në Kosovë janë hedh dyshime për kurdisje në qindra ndeshje, por vetëm në një rast FFK-ja pati shqiptuar dënim kur futbollistë e trajnerë të Fushë Kosovës kishin shkuar në FFK për të dëshmuar se klubi i tyre i kishte shty ta kurdisnin lojën. Në rastet tjera të lëshuara pa dënime FFK-ja arsyetohej se nuk kishte fakte, dhe se me këtë fenomen do të duhej të merreshin Prokuroria dhe Policia e shtetit. Tani kur Prokuroria konfirmoi për Gazetën Express se po zhvillon hetime në futbollin kosovar, në FFK thonë se për këtë po dëgjojnë për herë të parë.

“Për hetimet e Prokurorisë po dëgjoj për herë të parë nga ju. FFK-ja i dërgon të gjitha rastet e kurdisjeve dhe dhunës në ndeshje në Këshillin Kombëtar për parandalimin e dukurive negative dhe dhunës në sport dhe pastaj ata flasim me personat përgjegjës në Prokurori”, deklaroi për Gazetën Express zëvendëssekretari i FFK-së, Arianit Ahmeti.

“Ne i kemi dërguar aty të gjitha rastet për të cilat raportoni ju mediat. Kurdo që Prokuroria vjen te ne, ne i japim të gjitha dëshmitë që i kemi për të bashkëpunuar”, u shpreh Ahmeti.

Shtëpia e Futbollit pas anëtarësimit në UEFA ka filluar edhe fushata vetëdijesimi në futboll kundër fenomenit kurdisje, ndërsa në faqen zyrtare e ka vënë numrin telefonik, 0800 16 999, për t’i raportuar kurdisjet dhe gjithë ata raportues do të mbesin anonim.