Fjalë Kyçe

Steinbaum: ShBA-ja t’i vendosë sanksione Serbisë për armët ruse (VIDEO)

Steinbaum: ShBA-ja t’i vendosë sanksione Serbisë për armët ruse (VIDEO)

Të mërkurën, për më shumë se një orë, Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin folën në telefon e u besatuan se aleanca Rusi-Serbi nuk prishet.

Qasja që Beogradi ka karshi Moskës, e cila nisi pushtimin ushtarak të Ukrainës më 24 shkurt, duke mos i vënë asnjë sanksion, është e papranueshme për ekspertin amerikan të Ballkanit, Jason Steinbaum.

“Kam shqetësime serioze se si Serbia po i qaset Rusisë tash gjatë luftës dhe përpara saj. Serbia heziton t’i vendosë sanksione Rusisë, që po e bën pushtimin. Ata nuk kanë dëshirë t’i bashkohen konsensusit perëndimor. Si një vend që do t’i bashkohet Bashkimit Evropian, Serbia nuk do ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me Brukselin. Më shumë se kaq, ata kanë ofruar, në njëfarë forme, “Linjë jete” për rusët. Nga linja e tyre ajrore, që vazhdon të fluturojë për atje, deri te regjistrimi i plot kompanive ruse në Serbi, që nga fillimi i luftës në Ukrainë”, tha ai në një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën.

Duke folur nga Amerika, Steinbaum, që tani angazhohet në Fondin Gjerman Marshall (dega në ShBA), thotë se është koha që Uashingtoni t’i vendosë sanksione shtetit serb.

“Ne kemi mjete specifike që vlejnë për Serbinë. Ja njëra prej tyre. Serbia që sa vite importon armë ruse, ushtria e tyre është e mbushur me artileri ruse. Verën e 2017-ës, ShBA-ja miratoi një ligj i cili i vë sanksione Rusisë. Në mesin e këtyre sanksioneve janë kufizime për vendet që importojnë sasi të konsiderueshme të armëve ruse. Serbia po e bën këtë që nga miratimi i ligjit amerikan, të cilin e shkel që nga atëherë. Shembull: Serbia ka importuar avionë MIG29 nga Rusia e Bjellorusia, njashtu ka importuar tanke T72, artileri anti-tank e gjëra tjera. Kështu që me ligjin që po flas Amerika është dashur t’i vë sanksione Serbisë dhe nuk e di pse nuk e kemi bërë këtë deri tani”.

Steinbaum përmend një shembull që duhet ndjekur.

“Ne i kemi vënë saksione të tilla Turqisë, pasi që importoi sistemin raketor S400 nga Rusia. Tani është koha që këtë ta bëjmë përsëri. Në fund të fundit, diplomatët tanë duhet të shkojnë nëpër disa zyre në Beograd e ta bëjnë të qartë e të iu thonë: “Ju duhet ta kuptoni këtë drejt, ky është rreziku më i madh për Evropën dhe sigurinë evropiane e transatlantike për dekada””.

Gjatë intervistës për Klan Kosova, Steinbaum komentoi votën që Serbia e dha pro rezolutës së OKB-së, që e dënonte pushtimin rus të Ukrainës.

“Ky është veprim i mirë, por ishte gjë e lehtë. Ata votuan sikur që bënë Kuba e Venezuela, aleate të mëdha të Rusisë. Votimi që kishte shumë peshë ishte në muajin dhjetor, ku Serbia votoi kundër dënimit të okupimit të Krimesë nga Rusia. Dua të shoh Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian të marrin qëndrim më serioz e më të rreptë ndaj Beogradit”.

Në fakt, Steinbaum, prej krejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, lidhjen më të posaçme e ka me Kosovën. Ai konsiderohet si njeri i afërt i kongresistit Eliot Engel.

Politikani i pensionuar është njëri nga ikonat e politikës amerikane që u angazhua për themelimin e forcimin e shtetit të Kosovës.

“Unë kam punuar me kongresmenin Eliot Engel në Capitol Hill për 27 vjet. Isha pjesë e stafit të tij, ku kam kryesuar politikën e jashtme e në veçanti Kosovën për secilin nga këto vite që i përmenda. Kur Engel u bë kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme, unë u bëra drejtor i stafit të tij, që është top pozitë stafi në komitet. Kemi mbajtur dëgjime për Kosovën dhe donim të ishim të sigurt që qeveria amerikane po lëviz në drejtimin e duhur nëpërmjet procesit të mbikëqyrjes kongresiale”.

Por, cila është perspektiva e tij mbi marrëdhëniet Prishtinë-Uashington?

“Marrëdhënia e Kosovës me SHBA-në është më e rëndësishmja. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati më i madh e më i fortë i Kosovës. Mendoj se është kritike që Kosova të ushqejë këtë marrëdhënie. Derisa gjërat shfaqen në raportet e Kosovës me SHBA-në, situata duhet të shihet me perspektivën e asaj që ky raport është fort kritik. Liderët e Kosovës duhet ta kenë këtë në mendje kur marrin vendime se çka është më e mira e më e rëndësishmja për popullin dhe vendin tuaj”.

Është bërë një vit që kur Kosova ka qeverinë e re me kryeministër Albin Kurtin. Tash e disa herë, Kurti ka paralajmëruar se do të shkojë për vizitë zyrtare në SHBA.

I fundit zotim është se udhëtimi i shumëpritur do të ndodhë në maj.

“Ka ende kohë derisa të ndodhë kjo dhe këto gjëra mund të bashkohen relativisht shpejt. Shpresoj që një vizitë e tillë të realizohet. Këto lloj vizitash janë shumë të rëndësishme, ku liderëve u jepet mundësia që të njihen me njëri-tjetrin dhe të zhvillojnë lidhjet që do të qëndrojnë me kalimin e kohës. Por disa nga fërkimet që po ndodhin në këtë marrëdhënie janë disi shqetësuese. Derisa njerëzit i shohin këto zhvillime, ata duan të shohin gjërat të përmirësohen dhe të kenë një raport më të ngrohtë”.

E më 19 prill mbushen 9 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Ngjarja e konsideruar historike ndodhi në Bruksel.

Por dy vendet nuk po arrijnë te ujdia finale dhe procesi i dialogut ka ngecur.

“Të dyja palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura, të cilat nuk janë zbatuar deri tani. Kjo është e rëndësishme dhe ndërton besimin për të çuar procesin përpara. Por interesi i të dyja palëve duket se nuk është në harmoni me njëri-tjetrin. Interesi i Serbisë në dialog është që të jetë pjesë e tij e të angazhohet por sikur e ka thënë edhe Vuçiq, të mos arrihet një marrëveshje. Ai e ka qartësuar se nuk e njeh Kosovën, interesi i së cilës në dialog është të arrihet ujdia e të njihet e pranohet nëpër institucione ndërkombëtare. Duke u njohur jo vetëm nga Serbia, por edhe nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur atë, e për të ecur drejt NATO-s e BE-së”.

Pesë vendet anëtare të Unionit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë Qipro, Spanja, Greqia, Sllovakia e Rumania. Përveç të parës, katër tjerat janë anëtare edhe të NATO-s.