Fjalë Kyçe

Të mos ndihet i vetmuar: Tri gjëra të domosdoshme për çdo fëmijë të vetëm

Të mos ndihet i vetmuar: Tri gjëra të domosdoshme për çdo fëmijë të vetëm

Të qenit i vetmi në familje ka avantazhet, por edhe disavantazhet e veta

Shpesh fëmijët që nuk kanë vëlla apo motër ndihen të vetmuar, sepse nuk kanë me kë të luajnë, kur hyjnë në adoleshencë nuk kanë me kë t’i ndajnë problemet e tyre të para të dashurisë dhe nuk kanë as kujt t’i besojnë.

Prindërit do t’u mësojnë atyre se mund t’u drejtohen gjithmonë, por ndonjëherë fëmijët duan të flasin për këto gjëra me bashkëmoshatarët e tyre, transmeton Telegrafi.

Një problem edhe më i madh lind nëse fëmija nuk ka as miq në shkollë, prandaj duhet punuar për socializimin e tij.

Nga ana tjetër, fëmijët pa vëlla apo motër janë ata që më së shumti marrin gjithë vëmendjen dhe dashurinë nga prindërit e tyre, sepse nuk ka njeri tjetër, pos atij, që është po aq i rëndësishëm për ta, ndaj nuk ka “ndarje” dashurie.

Është shumë e rëndësishme që kjo vëmendje të drejtohet në mënyrën e duhur, në mënyrë që fëmijët të kenë një edukim cilësor.

Prandaj, pyetja e vërtetë është – çfarë kanë nevojë fëmijët e vetëm?

1. Kontakti me fëmijët e tjerë

Është e vërtetë që në vitet e para fëmija mëson më shumë nga prindërit. Tashmë në moshën 3-4 vjeç, fëmijët fillojnë të ndërveprojnë me moshatarët e tyre. Fëmijët që kanë vëllezër e motra kanë mundësinë të zhvillojnë aftësi sociale në shtëpi, të mësojnë të respektojnë të tjerët, të negociojnë, të zgjidhin konfliktet.

Nga ana tjetër, individët nuk e kanë këtë mundësi në shtëpi, ndaj është e rëndësishme të kesh miq. Aktivitetet shtesë, kopshti, shoqërimi me fëmijët e vegjël të lagjes, nga klasa, e gjithë kjo është e rëndësishme të ekzistojë në jetën e një fëmije për të mësuar të funksionojë me të tjerët.

2. Hapësirë për vetëzhvillim

Kur fëmija është vetëm, atëherë e gjithë vëmendja e prindërve drejtohet drejt tij. Shpesh në këtë marrëdhënie krijohet një lidhje e fortë dhe shumë mbrojtje nga prindërit. Kur kemi më shumë fëmijë, atëherë nuk mund të shikojmë çdo fëmijë në çdo kohë.

Mbani në mend se duhet ta lini fëmijën tuaj të zhvillojë autonominë dhe pavarësinë e tij. Ata kanë nevojë për hapësirë për të mësuar përgjegjësitë, për të bërë gabime dhe për të mësuar prej tyre. Nëse i mbani shumë pranë vetes, ata i humbasin këto mundësi.

3. Kufij të shëndetshëm

Prindërit zakonisht i japin çdo gjë fëmijës dhe plotësojnë çdo dëshirë, ndaj ai nuk ka mundësi të kundërshtojë një person tjetër apo të kuptojë nevojat e të tjerëve, sepse nuk ka vëlla apo motër. Ai do ta shohë veten si qendër të botës, kështu që do të jetë më e vështirë të përballet me botën reale dhe nuk do të ketë tolerancë ndaj zhgënjimit, nuk do të dijë të negociojë.

Është e rëndësishme që fëmija të mos marrë gjithçka që dëshiron dhe të mësojë se edhe njerëzit e tjerë rreth tij kanë nevoja, të cilat ai duhet t’i respektojë.