Fjalë Kyçe

Vaksinë kundër akneve

Vaksinë kundër akneve

Ekspertët në Universitetin e Kalifornisë në San Diego thonë se është gjetur një mënyrë për të luftuar aknet. Sipas studiuesve aknet kanë vetinë të ulin vetëbesimin te njerëzit dhe të ndryshojnë cilësinë e jetës.

Një vaksinë që trajton dhe parandalon aknet mund të bëhet së shpejti një realitet, pasi shkencëtarët kanë zbuluar një mënyrë për të bllokuar bakteret që dëmtojnë lëkurën. Ky bakter jeton në lëkurë dhe shkencëtarët e kanë penguar atë të prodhojë toksina që shkaktojnë inflamacion.

Trajtimi do të jetë në formën e imunoterapisë, që do të thotë se aknet do të luftohen nga brenda trupit dhe jo përmes trajtimeve hormonale. Kjo është një shenjë e shpresës për qindra miliona njerëz në mbarë botën që vuajnë nga një gjendje e pakëndshme e lëkurës.

“Trajtimet aktuale për puçrra fytyre nuk kanë efekt. Trajtimi i ri, do të jetë i sigurt dhe efektiv, duke i’u ardhur në ndihmë miliona adoleshentëve që vuajnë nga aknet,” tha udhëheqësi i studimit.

Ky eksperiment u provua te minjtë dhe qelizat e lëkurës së njeriut dhe rezultatet ishin pozitive.